Shkruan: Afrim Kasolli- Festa e Vitit të Ri zakonisht lidhet me dëshirën tonë të natyrshme për një fillim të ri. Kjo shtytje kurrë nuk merr më shumë kuptim sesa në në netë sikurse kjo e ndërrimit të motmotëve.
Ajo e formëson vet zemberekun e lirisë njerëzore, sepse ne mund të jemi të lirë për aq sa kemi mundësi për të filluar gjëra të reja në jetë dhe për t’u shkëputur nga prangat e zakonshme të saj. Në këtë mënyrë, dëshmojnë se nuk jemi rob të rrjedhës së njëtrajtshme të kohës.
Sidoqoftë, dimensionin simbolik të kësaj ngjarje festive dhe rëndësinë e saj shoqërore dhe politike, mund ta kuptojmë si duhet vetëm nëse mendojmë në terma “ontologjik” feminist dhe jo ashtu siç janë konceptuar tradicionalisht nocionet mbi shoqërinë, politikën etj etj.
Në sfond të kësaj tradite ka qëndruar mendimi metafizik. Mirëpo, ky i fundit ka qenë i dominuar nga horizonti i vdekshmërisë, përjetësisë dhe përhershmërisë. E këto të fundit qëndrojnë në antinomi me lirinë. Sepse çdo gjë është vetëm imitim i asaj që ekziston në mënyrë eternale. Asgjë e re nuk mund të shfaqet mbi këtë tokë.
Me Platonin standarde të tilla filozofike u bënë përcaktuese në traditën e këtij civilizimi. Madje edhe Nietzsche, përkundër rebelimit të tij nga ndaj kësaj ngrehine nuk ia doli të shkëputët nga pesha e saj. Ngase edhe ai mbet rob i “rikthimit të amshueshëm të së njëjtës”.
Esencën e kësaj fryme, sipas Jacques Derrida-s, e ka karakterizuar mpleksja e logocentrizmit me fallocentrizimin, ku supermacia maskuliniste ka qenë predominuese në konstruktimin e kuptimit të nocioneve filozofike. Kjo është arsyeja se edhe pse nocioni i lirisë i ndikuar nga kjo traditë kurrë nuk është kuptuar si duhet.
Në mënyrë që kjo e fundit të kapet me rrokshëm dhe sa më mirë që të jete mundur, duhet që të mendohet në terma politike. Sepse vetëm në këtë sferë liria dhe mundësia për një fillim të ri, në sajë të aksionit manifestohen në tërësinë e saj.
Prandaj, me rëndësishme se sa kategoria filozofike e mortalitetit, mbetet ajo natalitetit, lindshmërisë si esenca e lirisë. Ngase nuk mund të ketë as liri dhe as fillim të ri, pa një lindje të re. Vetëm fal kësaj të fundit mund të shfaqet diçka që nuk ka ekzistuar kurrë më parë. E kjo është lidhur ekskluzivisht me gruan. Apo siç ka pohuar Hannah Arendt “çdo fillim, para se të bëhet ngjarje historike, është kapaciteti suprem i njeriut, pra politikisht ai është identik me lirinë e njeriut”. Kurse sipas Shën Augustin –it, “që pikërisht ky fillim të jetë i mundur, u krijua njeriu” (that a begininig be made, man was created). Ngase vetëm njeriu e ka privilegjin dhe mundësinë për hapje të shtigjeve të reja.
Në këtë kontekst, viti i ri me shumë se asgjë tjetër, na e kujton rëndësinë e të menduarit sipas asaj që e përfaqëson gruaja politikisht si e vetmja mundësi për t’i zgjeruar horizontet e lirisë.
Prandaj, le të jetë viti 2024 një vit i zgjerimit të këtyre mundësive, pikërisht në saje të aftësisë për fillim të ri!
/TV Arbëria