Gjykata e Apelit me vendimin e 29 nëntorit 2023 ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin dy zyrtarët e Gjendjes Civile në Fushë Kosovë ishin dënuar me nga një vit burgim efektiv për korrupsion.
Ibrahimi dhe Shala akuzoheshin se në cilësinë e zyrtarëve të Gjendjes Civile, në mënyrë të kundërligjshme kanë regjistruar persona në regjistrat e Gjendjes Civile, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kundër këtij vendimi, ankesë kishin parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit Ibrahimi avokati Shemdi Bunjaku dhe mbrojtësi i të akuzuari Shala avokati Rrustem Lajqi.
Këto ankesa të njëjtit i kishin parashtruar me propozim që çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.
Ndërkaq, Prokuroria e Apelit në parashtresën e saj kishte propozuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore të vërtetohet.
Mirëpo, Gjykata e Apelit, kishte gjetur se ankesat janë pjesërisht të bazuara dhe se edhe sipas detyrës zyrtare aktgjykimi duhet të ndryshohet.
Në arsyetimin e vendimit të Apelit thuhet se kjo gjykatë ka gjetur të bazuar pretendimin e mbrojtjes vetëm sa i përket cilësimit juridik që mbrojtja ka theksuar se është tejkaluar akuza.
Në rastin konkret Apeli ka gjetur se gjykata e shkallës së parë i ka shpallur fajtorë për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare” në vazhdimësi, përkundër se Prokuroria në aktakuzë nuk i ngarkonte të pandehurit në vazhdimësi.
“Kolegji i Gjykatës së Apelit ka parasysh se gjykata e shkallës së parë nuk ka tejkaluar akuzën në aspekt të identitetit objektiv të akuzës në raport me aktgjykimin, kjo për faktin se gjykata e shkallës së parë nuk ka ndryshuar asnjë fakt vendimtar në përshkrimin e rrethanave faktike që ka pretenduar në akuzë prokurori”, thuhet në vendimin e Apelit.
Pra, rrjedhimisht sipas Apelit, akuza nuk është tejkaluar në kuptimin të fushëveprimit të fakteve nga ana e gjykatës, por rezulton në aspekt të cilësimit juridik kur të pandehurit i ka shpallur fajtorë për veprën penale në vazhdimësi.
/TV Arbëria