Kanë kaluar mbi dy dekada nga përfundimi i luftës në Kosovë, por numri i të dënuarve që kanë kryer krimet e luftës, dhunimet, zhdukjet dhe shkatërrimet e pronës është tejet i vogël.
Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, në një prononcim për TV Arbëria ka folur në lidhje me këtë temë ku tha se për t’u bërë më shumë për dënimin e krimeve të luftës duhet që numri i prokurorëve, gjykatësve dhe hetuesve duhet të jetë më i madh dhe të jetë profil i specializuar.
Rekomandimi i KMDLNJ-së është që cak për dënimin e krimeve të luftës në Kosovë të jetë niveli i lartë komandues, ushtarak e policor serb, jo individët, sepse ai individ që ka bërë krime ka marrë udhëzime nga niveli komandues që ka ndikur drejtpërdrejt në numrin aq të madh të viktimave.
Ai gjithashtu foli edhe për gjykatën speciale për të cilën tha se është duke punuar në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut.
Kësaj gjykate ai iu referua si gjykatë raciste pasi mundohet të sigurojë drejtësi për një përqindje të vogël të viktimave (serbët) kurse pjesën dërrmuese (shqiptarët) i lë pa drejtësi.
“Në Kosovë janë dënuar për krime lufte 75-80% shqiptarë kurse vetëm 20% janë serbë, ndërkaq raporti i viktimave 95-97% shqiptarë kurse pjesa tjetër janë serbë e pakica”, shtoi kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala.
/TV Arbëria