Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të hetohen rastet e akuzave për parregullsi gjatë zgjedhjeve që u mbajtën në Serbi më 17 dhjetor dhe që të ruhet qetësia.
Kështu tha zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, duke u përgjigjur në pyetje rreth zhvillimet e fundit në Serbi, ku po vazhdojnë protestat me kërkesa për anulimin e zgjedhjeve dhe shpalljen zgjedhjeve të reja.
“Ankesat për parregullsi në zgjedhje duhet të hetohen dhe të adresohen në mënyrë të duhur. Përderisa e drejta për protesta paqësore duhet të respektohet, dhuna nuk është zgjidhje dhe është e papranueshme”, tha ajo.
Më 17 dhjetor, Serbia mbajti zgjedhje parlamentare, lokale dhe krahinore.
Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shpallur fitore në të gjitha nivelet.
Misioni vëzhgues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha më 18 dhjetor se zgjedhjet u përshkruan me parregullsi serioze, keqpërdorim të fondeve shtetërore, me fushatë negative dhe përhapje të frikës.
Ndërkaq, eurodeputetët kanë kërkuar hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë në zgjedhjet serbe.
/TV Arbëria