Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se në bisedimet e Brukselit me ndërmjetësimin e BE-së vazhdimisht është thënë se për draft-statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një konferencë për media, shefi i ekzekutivit foli rreth trysnisë ndërkombëtare për themelimin e asociacionit dhe rreth deklarimeve të emisarit Miroslav Lajçak se draft-statuti i asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës.
Për sa i përket hetimeve mbi sulmin terrorist të 24 shtatorit, kryeministri Kurti tha se informacionet i janë dhënë edhe Prokurorisë së Shtetit dhe i takon kësaj të fundit të merret me të, pasi ka dëshmi prova dhe materiale të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave ndaj personave që morën pjesë në Banjskë.
Përveç këtyre, Kurti tregoi edhe për punën që po bëhet në sigurimin e kufijve me qëllim të parandalimit të sulmeve të mundshme në të ardhmen, duke thënë se patrullimi i përbashkët me KFOR-in i ka zmbrapsur planet serbe për sulme.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur për targat në veri të vendit, për çka tha se në Kosovë nuk ka më qarkullim të automjeteve me targa ilegale. Ai ka folur edhe për sekuestrimin e alarmeve ilegale në veri dhe çfarëdo pajisje tjetër që ka për synim aktivitete ilegale.
/TV Arbëria