Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Osmani për masat e BE-së: Ka tendenca të përdoren si kushtëzim për Asociacionin

Osmani për masat e BE-së: Ka tendenca të përdoren si kushtëzim për Asociacionin

Presidentja Vjosa Osmani tha se ka tendenca që masat ndëshkuese të BE-së kundër Kosovës që vazhdojnë të jenë në fuqi të keqpërdoren për kushtëzim të themelimit të Asociacionit.

E para e shtetit shtoi masat është dashur të hiqen moti dhe në fakt të mos vendoseshin kurrë.

Ajo tha se nëse ndodh diçka e tillë do të ketë vetëm efekt negativ, derisa tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat e vendosura nga BE-ja për heqjen e këtyre masave që u vendosën si ndëshkim për tensionet në veri.

Osmani tha se konstruktivitetin Kosova e ka dëshmuar me qindra herë në raportin me marrëveshjen me Serbinë, ndërkaq Serbia po e bën të kundërtën dhe jo vetëm me retorikë, por edhe me shkrim.

“Ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për të kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja pse ato janë vendosur në fillim. E kam kundërshtuar një qasje të tillë edhe në Samitin BE-Ballkan Perëndimor, sepse në fakt kjo logjikë sikur kur përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje të dialogut do të ketë vetëm efekt negativ”.

“Ajo që kanë kërkuar nga Kosova, pra që e quanin de-eskalim, tashmë ka ndodhur. Nëse dikush mendon që të kushtëzohet heqja e masave me ndonjë veprim të Kosovës në kuadër të zbatimit të marrëveshjes vetëm sa do të ketë efekt negativ. Masat do të duhet hiqen sepse Kosova i ka plotësuar kushtet e kërkuara”.  

“Kosova ka vepruar brenda territorit të saj, s’e ka pushtuar askënd, s’ka përdorur dhunë dhe se ka rrezikuar askënd që të meritonte masa të tilla të padrejta dhe joprofesionale”.

/TV Arbëria

Powered by WordPress