Shkruan: Afrim Kasolli
Në historinë e filozofisë gratë shpeshherë janë shfaqur me një rol tallës ndaj atyre që ia kanë dedikuar jetën kësaj veprimtarie. Libri i Diogenes Leartius, “Lives and Opinions of Eminent Philosophers” tregon edhe për anekdota ku gratë kishin mbajtur qëndrim tallës dhe ironik për këtë punë të kotë të burrave. Është i njohur rasti i filozofit të parë grek Thalesit, që deri sa ishte duke i shikuar yjet edhe qiellin, papritmas rrëzohet në një gropë e Dhe një grua deri sa po kalonte, siç preferohet të thuhet me gjuhën sotme në vendin e ngjarjes, në mënyrë shpotitëse e pyet të urtin e parë të këtij civilizimi, se çka të duhet të shohësh në qiell deri sa nuk je në gjendje të shohësh para syve të tu?
Jo më pak emblematik në këtë drejtim ka mbetur edhe raporti i Sokratit, filozofit të njohur athinas me gruan e tij Xanthippe-n. Ndonëse, sipas Aristotelit, ky mendimtar edhe pse i “shëmtuar” megjithatë ishte i martuar dy herë. Mirëpo, raporti bashkëshortor me gruan e parë kam mbetur pak a shumë “enigmatik” në jetëshkrimin e tij. Madje, thuhet se kur një nxënës i tij kishte shkuar të marrë këshilla se çka duhet të bëjë, të martohet apo jo, Sokrati i ishte përgjigjur, se të dy opsionet janë njësoj gabim.
Mirëpo, sipas shënimeve D Leartius, lidhja ndërmjet kësaj “shtëpiake” dhe filozofit ishte i mbushur përplot tensione. E para nuk demonstronte respekt për atë që e zbriti filozofinë nga qielli në tokë, dhe e shndërroi këtë disiplinë në kërkim të së mirës, së bukurës dhe së drejtës në vend të rendit kozmik të gjërave. Ajo kishte përçmim për detyrimet e tij mendore dhe me synim edukimin shpirtëror të të rinjve athinas. Madje në një moment thuhet se deri sa ky ishte duke mbajtur ligjërata morale para nxënësve të tij, Xanthippe pas një zhurme hynë brenda “sallës së mësimit” dhe e hedh një kove me uji në drejtim të Sokratit, para të pranishmëve. Ndërkohë, ky vetëm u kthehet nxënësve dhe u thotë se “pas çdo bubullime bie shiu”.
Kurse, Alcibiades i ishte ankuar se sjellja e saj ishte e pa tolerueshme, ai ishte përgjigjur, po edhe ju jeni të detyruar ta dëgjoni çdo ditë zhurmën e patave. Mirëpo, Alcibiades i thotë se një gjë tillë e toleronte, sepse nga kjo “zhurmë i përfitonte vezët”. E pra i kthehet Sokrati edhe mu Xanthippe mi sjell fëmijët. Ajo nuk kishte nguruar as ta sulmonte në sheshet e Athinës burrin e saj. Por, as kjo nuk shënonte fundin e botës sipas Sokratit. Sepse një burrë duhet të mësohet të jetojë me një grua të zemëruar, ashtu sikur se një kalorës që duhet të mësohet me “temperamentin” e vrullshëm të kuajve. Kështu nëse ai del t’i menaxhoj ata, atë herë do ta ketë më të lehtë me të tjerët.
Ekzistojnë, edhe shumë e shumë raste të tjera, ku gratë janë shfaqur me një qëndrim përbuzës ndaj jetës së filozofëve. Atëherë si duhet ta interpretojmë këtë paradoks? A është kjo një shenjë se ato nuk janë të denja për të banuar brenda shtëpisë së mendimit, racionalitetit dhe ideve? Apo kjo e fundit si është ndërtuar dhe dizajnuar historikisht nga burrat ka qenë gabim? Prandaj, edhe me talljen dhe ironinë që ato kanë shfaqur kohë pas kohe ndaj kësaj mënyre të jetës, kanë dëshmuar për kufizimet dhe mangësitë e saj. Dhe se filozofinë në mënyra të duhur mund ta kuptojmë jo nga mësimet serioze të filozofwve, por nga tallja e grave me mësimet e tyre.
Kjo revoltë ka treguar se mendimi tradicional filozofik nuk reflektonte kushtet e jetës. Idetë e kësaj sferë qenësonin në një botë transcendente dhe të shkëputur nga gjendja reale e jetës njerëzore. Nocionet universale të lirisë, drejtësisë, së vërtetës, së mirës etj etj e reflektonin vetëm një botë metafizike, qasja në të cilën nuk mund të bëhej për shkak të detyrimeve të jetës së përbashkët.
Prandaj, ka qenë Hannah Arendt, një grua kjo, e cila me “rebelimin e saj teorik” ndaj kësaj tradite i ka vënë në pah edhe konceptualisht dobësitë e saj. Ajo dëshmoi se mendimi spekulativ i kësaj bote thuajse ishte i padobishëm për atë që qëndron në mes qenieve të gjalla. Për të, në vend të mortalitetit që e dominonte esencën e metafizikës, shumë më i dobishëm mbetet reflektimi mbi kategorinë e natalitetit. Sepse, me këtë të fundit është e lidhur çdo herë një lindje e re. E pikërisht në këtë dimension “fshehët” potenciali i lirisë . Kjo edhe ishte arsyeja se pse kurrë filozofia nuk kishte qenë në gjendje ta kuptonte si duhet këtë temë. Ngase kjo e fundit ose realizohet në botën plurale të gjallëve me anë të aksionit të përbashkët, ose është vetëm iluzion. Po ashtu, subjekt i vështrimit të saj teorik u bënë kategoritë si puna, (labor), të punuarit (work) dhe aksioni. Sepse janë këto veprimtari të jetës aktive nga të cilat përbehet jeta njerëzore. Dhe që mjerisht ato kishin gëzuar një trajtim pezhorativ nga mendimi tradicional filozofik. Prandaj, tallja, përbuzja dhe qëndrimi shpotitës disa herë i grave ndaj kësaj ngrehine vinte edhe nga fakti se ajo qe një kështjellë e “vdekur”, dhe e banuar nga fantazma mendore dhe murgj të vetmuar që e kalonin kohën me ëndrrat e tyre eternale pa lidhje me botën reale.
/TV Arbëria