Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se Evropa është në rrezik dhe se plani evropian mund të dëmtohet nëse presidenti rus, Vladimir Putin, fiton në Ukrainë dhe “nëse vazhdon situata në Gaza”.
Këto deklarata, Borrell i dha përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social X.
“Le të përveshim mëngët për ta shmangur këtë”.
Ndryshe, janë bërë pothuajse dy vjet prej kur filloi konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës, në atë që Putini e quan “operacion special ushtarak”.
Përgjatë kësaj periudhe, shumë pak avancime ka pasur në vijën e frontit nga të dyja palët e luftimeve dhe luftimet kryesisht janë të fokusuara në lindje të Ukrainës, gjegjësisht në rajonin Donbas.
Hungaria së fundmi ka bllokuar një pako ndihme të BE-së drejt Ukrainës me vlerë prej 50 miliardë euro.
Një tjetër vëmendje, gjithashtu ka zgjuar edhe konflikti mes Hamasit dhe Izraelit i cili filloi më shumë se dy muaj më parë.