Të lindësh në luftë, ishte tema e ekspozitës së “Thuaj për të më kujtuar që të mos harrojmë” e hapur para pak dite në bibliotekën Hivzi Sylejmani, nga dy vajza që kishin lindur gjatë luftës. Me anë të kësaj performance artistike, Renea Begolli dhe Luiza Thaçi, dëshmojnë mbi lindjen dhe amësinë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Duke qenë se Renea dhe Luiza janë dy vajza të cilat u lindën në vitin 1998, ato janë nisur nga vetë rrëfimet e nënave të tyre për vështirësitë, frikën, ankthin dhe dhimbjet e dyfishta në të lindjes në rrethana ekstreme. “Kemi dashur të krijojmë një vepër që u dedikohet nënave tona. Sepse e kemi parë që edhe nëpër shtëpi, normalizohet dhe minimizohet rëndësia e këtyre rrëfime”, pohoi Renea me rastin e hapjes së ekspozitës. Prandaj, me qëllim që kjo temë të marrë vëmendjen e merituar të publikut e kemi zgjeruar atë edhe me shumë rrëfime të ngjashme të grave tjera që u bënë nëna në kohë të luftës.
Me qëllim që kjo temë të pasqyrohet sa më mirë që te jetë e mundur, të dy artistet krijojnë një ambient të mbuluar me perde të zeza, që mbulojnë dritaret, ashtu si në shumë rrëfime të këtyre nënave. Praktikë kjo që ishte e përhapur në shumë familje shqiptare gjatë kohës së luftës, ku lagje, fshatra dhe qytete i mbulonte errësira, pasi asnjë llampë e asnjë qiri nuk guxonte të ndizej.
Me këtë shfaqje unike artistike Rena dhe Luzia u kanë dhëne zë shumë grave që u bënë nëna në atë kohë si dhe tregohet për vështirësitë që ato kanë kaluar në atë periudhë, temë kjo që edhe në mase të madhe ka qenë e përjashtuar nga rrëfimet për luftën në vend. E një heshtje e tillë ndikon që të harrohet vet jeta e përditshme në kushtet e luftës.
Përgatiti: Biondina Elshani
/TV Arbëria