Shqipëria siguroi një sukses fantastik këtë vit, teksa për herë të dytë në histori u kualifikua në finalet e një Evropiani.
Por jo vetëm kaq, këtë edicion kualifikues ekipi Kombëtar bindi me lojë dhe rezultat, duke u renditur në vendin e parë dhe duke dominuar ndaj çdo kundërshtari në Grupin E.
Për këtë arsye një çmim i veçantë në Mbrëmjen Gala të FSHF-së “Më të Mirët 2023” ka shkuar pikërisht për ekipin Kombëtar të Shqipërisë me titullin “Nderi i Kombit në Futboll”, titulli më i lartë që jep Asambleja e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Kombëtarja solli gëzim dhe i bashkoi të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme në çdo ndeshje. Si asnjëherë tjetër, stadiumi ishte në çdo ndeshje “sold – out” dhe interesi për biletat kaloi çdo kufi duke bërë që të shiten në pak orë.
Shqipëria dhuroi spektakël në fushë me performancë, rezultat dhe gola spektakolar, ndërsa në Europian do të luajë ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës. Gjatë Mbrëmjes Gala, u ripërshkruan edhe njëherë të gjitha momente magjike e më pas lojtarët e pranishëm dhe stafi teknik me në krye trajnerin Silvinjo dolën në skenë dhe morën çmimin “Nderi i Kombit në Futboll”, që i është dorëzuar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka , i cili falënderoi ekipin Kombëtar që na bëri krenarë të gjithëve me arritjet e jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare.
/TV Arbëria