Qytetarët e Kosovës, kanë dhënë mendimet e tyre për punën e deritanishme të Qeverisë në këtë vit, ku disa prej tyre u shprehën të kënaqur e disa shprehën pakënaqësitë e tyre rreth punëve të kësaj qeverie.
Pyetjes së Arbëria TV, se sa janë të kënaqur qytetarët me punët e Qeverisë në këtë vit, njëri nga qytetarët iu përgjigj se deri diku është i kënaqur.
“Me dije koftë që ato ambiciet qeveritare nuk ka mujtë me i mrri të gjitha, por deri diku po”. Qeveria ka insistue që në rastet sociale me i ndihmu ma tepër, u shpreh ai.
Qytetari theksoi edhe njërën nga dështimet e kësaj qeverie, e cila është kategoria e pensionistëve.
“Ka edhe deshtime faktikisht, sidomos për pensionistët është e pamohueshme, asnjë qeveri se jo veq kjo që nuk kanë interesim për jetën dhe standardin e pensionistëve, nuk kanë bërë asgjë”, shtoi tutje ai.
Ndërsa, një qytetar tjetër mendonte ndryshe, ai u shpreh mjaft i kënaqur me punët e kësaj qeverie.
“Punët e Qeverisë ma mirë si ka bo asnjë, kurrkush se ky. I kënaqur jam me të, do punë po i bën ma mirë e s’po e ngon kërkon e qeshtu”, tha ai.
“Deri qetu qka kam nij e qka kam pa si Albini su kon kerkush”, shtoi tutje ai.
Ndërkaq, për kategorinë e pensionistëve ai u shpreh se nuk ka bërë asgjë.
Kurse, një qytetar tjetër e përmendi dukurinë e migrimit të të rinjve në vendet e huaja, ku si shkak i pamundësive për punësim si zgjidhje po shohin largimin nga vendi i tyre.
Ai tha se qeveria duhet të bëjë më shumë në aspektin ekonomik, shkaku se kemi një rini të shëndoshë e të shkolluar, për të cilën duhet të punohet më shumë, që ajo të mbetet këtu e jo të largohet.
“Qeveria duhet të bëjë shumë ma shumë që të ndalë migrimin e rinisë tonë, të krijojë hapësira punësimi atyre këtu që kjo kokë e shëndoshë e rinisë tonë të mbetet dhe të japë kontributin në vendin e vet në Kosovë e jo këto koka të ndritura të rinisë tonë t’i shfrytëzojë tjetërkush”, shtoi ai.
Kujtojmë, se Qeveria e Kosovës para pak ditëve ka miratuar vendimet për ndarjen e shtesave prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët, për muajin dhjetor.
/TV Arbëria