Të kënaqur me këtë iniciativë janë shprehur edhe qytetarët. Sipas tyre, kjo po iu ndihmon shumë për të tejkaluar sezonin e dimrit.
Qytetari Shaip Okalla, i cili ka përfituar nga kjo mundësi, është shprehur jashtëzakonisht i lumtur.
Ndërsa, drejtori i kompanisë që ka fituar tenderin, Fazli Beqiraj, ka treguar më shumë për iniciativën. Madje, siç thotë ai, për herë të parë komuna ka mundësuar edhe sharritjen dhe transportin falas deri në shtëpi për përfituesit e kësaj ndihme.
Në anën tjetër, kryetari Totaj thotë për KosovaPress, se përveç kësaj ndihme, komuna do të jetë e gatshme çdoherë me mundësitë që ka, t’i dalë në ndihmë qytetarëve.
Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se rreth 21 mijë familje me 81 mijë anëtarë në asistencë sociale, do të përfitojnë nga subvencionimi për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje gjatë dimrit, me nga 120 euro në tërësi dhe me nga 30 euro shtesë për çdo anëtarë të familjes.
Kjo masë është mbështetur nga pakoja energjetike emergjente e Bashkimit Evropian, ku Ministria e Financave, Punës dhe Transferve, ka pranuar mbështetje financiare në vlerë prej 75 milionë euro, e që 5 milionë prej tyre janë alokuar për subvencionimin e familjeve me asistencë sociale.
/TV Arbëria