Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Fondi anti-kushtetues

Fondi anti-kushtetues

Shkruan Abelard Tahiri

Në seancat e djeshme të Kuvendit, shumica parlamentare rikonfirmoi angazhimin kundër rendit kushtetues.
I tillë ishte rasti me miratimin e Ligjit për Fondin Sovran, me të cilin cenohen parimet themelore të organizimit ekonomik të Republikës, si konkurrenca e lirë, liria ekonomike, trajtimi i barabartë i investitorëve.
Me këtë ligj, mëtohet të krijohet një megastrukturë burokratike që dëmton buxhetin e shtetit, krijon pasiguri juridike dhe mbi të gjitha cenon vlerën kushtetuese të sundimit të ligjit, sepse në organizimin dhe funksionimin e tij, nuk do të zbatoj as ligjin bazik për ndërmarrjet publike, as ligjin e punës, as të prokurimit publik por do të qeveriset sipas tekeve të kuazi ekspertëve të shitur.
Ky ligj, qindra miliona euro koncentron në duart e një grupi të pushtetit, ndërsa mijëra punëtorë të ndërmarrjeve rrezikojnë të mbesin në rrugë, duke i zëvendësuar me militantë partiak e me familjarë të pushtetarëve.
Prandaj, do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, ku me argumentet juridike do të angazhohemi për ta rrëzuar edhe këtë ligj, që bazën ideologjike e ka në ekonomitë komuniste.
Ndërsa dje shumica parlamentare, po ashtu, pas një cirku votimesh, miratoi edhe shkarkimin e anëtarit të Këshillit Prokurorial nga radha e profesorëve univeristar, Prof. Dr. Agron Beka dhe ky vendim paraqet përpjekjen e radhës për të bllokuar këtë institucion të pavarur kushtetues, që më pas ta kapin dhe nënshtrojnë.
Edhe ky vendim përbën cenim arbitar të pavarësisë dhe punës së KPK-së, dhe si grup paralamentar, ashtu siç jemi angazhuar në raste të tjera, edhe kësaj radhe nuk do të lejojmë prishjen e parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve duke e dërguar të njëjtin në Gjykatën Kushtetuese.
/TV Arbëria

Powered by WordPress