Kryetari i Lëvizjes “Vatra” në Gjilan, Kushtrim Kadriu, është shprehur për Front Online se kryeministri Albin Kurti ka përçarë spektrin politik në Luginë dhe si pasojë e kësaj, në parlamentin e Serbisë nuk do të ketë asnjë deputet shqiptar.
“Unë mendoj se me politikat destruktive të z.Kurtit dhe me përçarjen e madhe që ka bërë të spektrit politik në Kosovën Lindore tani më nuk do të ketë deputet në Parlamentin e Serbisë, por mendoj se nuk është dashtë as në të kaluarën të ketë deputetë në Parlamentin e Serbisë”, ka thënë ai.
Sipas tij, tentativat për të inkuadruar shqiptarët në institucionet e Serbisë shkojnë në favor të Vuçiqit.
“Është dashtë të shkojmë me programin e referendumit të vitit 1992 i cili është i qartë dhe ku 98% e banorëve të Kosovës Lindore votuan për bashkëngjitjen me Kosovën dhe çdo tentativë për të inkuadruar shqiptarët e Kosovës Lindore në institucionet qendrore të Republikës së Serbisë është në favor të Vuçiqit dhe në favor të mbajtjes së pushtuar të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës nga Serbia”, ka deklaruar ndër të tjera Kadriu.
/TV Arbëria