Shkruan Arben Mustafa
Në Kuvendin e Kosovës u aprovua ligji për të ashtuquajturin Fond Sovran. Po e përdori fjalën i ashtuquajtur për shkak se realisht nuk kemi të bëjmë me një fond.
Fondet e suksesshme sovrane bazohen në resurse që kanë rrjedhë të vazhdueshme për të financuar fondin, si për shembull të hyrat nga nafta në disa vende.
Në rastin tonë, Fondi Sovran është menduar të financohet nga fitimet e pritura të ndërmarrjeve publike.
Se sa reale janë pritjet se këto ndërmarrje do të mund të shndërrohen në ndërmarrje të suksesshme për ta financuar fondin sovran, mjafton të shihen praktikat e deritanishme të kësaj qeverie, të cilat bazohen totalisht në punësime partiake dhe subvencione nga taksat e qytetarëve për ti mbajtur gjallë këto ndërmarrje.
Qeverisë së Kosovës nuk i mungon asnjë instrument i nevojshëm për t’i rimëkëmbur ndërmarrjet publike. Fondi Sovran nuk i ofron asnjë vlerë të shtuar në këtë drejtim, por vetëm se i mundëson ta centralizojë kontrollin ndaj tyre përmes një bordi të vetëm që i mbikëqyrë bordet aktuale të këtyre ndërmarrjeve.
Prandaj, nuk kemi të bëjmë me një fond të mirëfilltë, por vetëm me një mekanizëm shtesë byrokratik për menaxhimin e ndërmarrjeve publike – asgjë më tepër se një bord mbi bordet ekzistuese të ndërmarrjeve publike.
Me këtë mekanizëm kontrolli, kjo Qeveri po synon ta përforcoj pozicionin e saj për një prani më të madhe të pronës publike në vend, madje me ambicie për t’u shtrirë edhe më tepër drejtë ndërmarrjeve që aktualisht janë në pronësi private, duke kërcënuar kështu themelet e ekonomisë së lirë të tregut në Kosovë.
Pra, në kohën kur vendet e zhvilluara bëjnë çmos për ta mbështetur zhvillimin e sektorit privat, ne kemi një qeveri me orientim kundër ekonomisë së lirë të tregut dhe me synime për ta kthyer një sistem të bazuar në pronën publike, i cili është dëshmuar si i dështuar.
Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar që ta ruaj dhe ta forcojë më tutje ekonominë e lirë të tregut në Kosovë, ku zhvillimi ekonomik bazohet në sektorin privat, me një rol proaktiv të shtetit për krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillim.
/TV Arbëria