Qeveria ka dështuar që të realizojnë njërin prej premtimeve më të rëndësishme, atë për reformën në drejtësi, po vlerësojnë njohës të sistemit në vend. Ata i thanë Ekonomia Online se vettingu do të duhej që të përfundonte qysh moti, e të gjendjen forma më e lehtë e jo përmes ndryshimeve Kushtetuese, ngase e gjithë kjo ka shkaktuar vonesa të panevojshme.
Ehat Miftaraj, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), tha në një intervistë për Ekonomia Online se ky proces do të duhej të bëhej në mënyrë të drejtë të pavarur.
Ai tha se presin që Gjykata Kushtetuese në një kohë sa më shpejt që është e mundur të marrë vendimin dhe të vlerësoj Kushtetutshmërinë e amendamentit që është dërguar nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ndërsa avokati Arbër Jashari, tha se nuk është ndërmarrë asgjë për vettingun përpos një koncept-dokumenti që është hartuar nga Ministria e Drejtësisë.
Ai tha se sipas punës së bërë deri më tash, institucionet janë shumë larg realizimit të kësaj aspirate, plani me cilin Ministria e Drejtësisë është mburrur vazhdimisht, raporton EO.
Tutje ai tha se Qeveria e ka parë që është e pamundshme të shtyhet kjo ide më tutje sidomos pa ndihmën e ndërkombëtareve të cilët do të kishin një rol shumë të rëndësishëm.
Xhevdet Smakiqi, avokat, tha se Qeveria nuk e ka për qëllim reformën, por marrjen nënkontroll të institucioneve të drejtësisë, duke komentuar edhe vendimet gjyqësore e etiketuar prokurorët e gjyqtarët.
Kjo sipas tij, po bëhet me qëllim që të frikësohen kundërshtarët, duke përfshirë edhe opozitën.
/TV Arbëria