Presidentja Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se përgjatë këtij viti ka realizuar afër 200 takime e bashkëbisedime me krerë shtetesh e krerë qeverish, si dhe takime shtesë me udhëheqës të tjerë institucionalë e udhëheqës të organizatave më të fuqishme ndërkombëtare.
“Jam krenare për punën që kemi bërë së bashku me ekipin tim në riparimin e shumë dëmeve që janë bërë nga kundërshtarët e Kosovës dhe parandalimin e shumë të tjerave, e mbi të gjitha për punën e bërë në përmirësimin e imazhit dhe pozitës së Kosovës ndërkombëtarisht, përderisa jam e vetëdijshme se rrugë jo e lehtë na pret përpara në avancimin ndërkombëtar të vendit tonë”, ka theksuar presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani, aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një dëshmi e përkushtimit ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.
“Njëkohësisht, dorëzimi i kërkesës se Kosovës për statusin e kandidatit në BE, vë në pah përkushtimin tonë të palëkundur ndaj integrimit dhe të ardhmes sonë evropiane”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani tha se pavarësisht se sa komplekse është rruga, Kosova nuk do të heq dorë nga anëtarësimi në BE, përkundër vonesave të padrejta që bëhen përgjatë kësaj rruge.
“Duke pasur parasysh sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova dhe i gjithë rajoni ynë, jam më e bindur se kurrë, se anëtarësimi ynë në NATO duhet të jetë prioriteti ynë numër një. Aspiratat tona për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake janë të vendosura, të bazuara në përkushtimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, tha ndër të tjera Presidentja Osmani në adresimin e saj vjetor.
/TV Arbëria