Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka ndarë mendjen për formacionin që pritet ta hedh në fushë për ndeshjen e sotme (e enjte) ndaj Dinamo Zagrebit në kuadër të Grupit C në Ligën e Konferencës.
Ballkani luan ndeshjen e fundit të grupeve të Ligës së Konferencës për sezonin 2023/24, ku përball do të ketë Dinamo Zagrebin në “Stadion Maksimir” me fillim nga ora 21:00.
Ekipi i Ilir Dajës vjen nga një formë jo e mirë në Evropë me dy humbje dhe një barazim nga tri ndeshjet e fundit, por synon befasinë e madhe, pasi me një fitore mund të kualifikohet në fazën tjetër.
Në anën tjetër, vendasit nga Zagrebi gjithashtu duan ta konfirmojnë veten në raundin tjetër dhe një barazim do të ishte i mjaftueshëm për të siguruar vendin e dytë.