Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka drejtuar akuza ndaj Institutit GAP, lidhur me raportin për Projekt-buxhetin për vitin 2024. Sipas raportit të GAP, edhe këtë vit janë favorizuar komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, sa i përket investimeve kapitale nga niveli qendror.
Murati ka thënë se kjo është e pavërtetë, derisa ka shtuar se “tërë kjo zhurmë po bëhet për 13 milionë euro”, raporton Express.
“Tërë kjo zhurmë po bëhet për 13 milionë euro, na pardje i nënshkruajtëm 80 milionë euro për Komunën e Prishtinës. 13 milionë euro është krejt zhurma që po bëhet. Kështu që konsideroj që është e padrejtë të bëhet një sulm i tillë. Komunat kurrë më shumë buxhet nuk kanë pasur. Është shtuar për 200 milionë euro buxheti i komunave nën qeverisjen tonë, për shkak se kemi arritur të rrisim mbledhjen e të hyrave që mbledhim nga tatimet, duke e formalizuar ekonominë por edhe duke e rritur aktivitetin ekonomik”, ka deklaruar Murati, në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë.