Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kulturë-Histori > Ndërmjet filozofisë dhe poezisë

Ndërmjet filozofisë dhe poezisë

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, këto ditë ka botuar librin “Filozofia dhe poezia”. Në këtë libër, mund të gjenden kumtesat dhe punimet e studiueseve të njohur nga sfera e filozofisë dhe letërsisë nga Prishtina, Tirana dhe Parisi, të mbajtur në konferencën shkencore ndërkombëtare “Filozofia dhe poezia” në AShAK, më 3 maj 2023.

Akademiku i njohur francez, Jean-Yves Tilliette, ishte prezantuar me punimin “Gërshetimet mesjetare të Poezisë dhe Filozofisë”. Në këtë ekspoze, ai i trajton “dy monumentet më të bukura të krijimtarisë poetiko-filozofike të mesjetës : Kozmografia e Bernard Silvestre(1150) dhe l’Anticlaudianus i Alain de Lille”.

Kurse, filozofi francez, Gérard Raulet, autor i çmuar veprave filozofike në gjuhën franceze dhe gjermane, në kumtesën “Midis poezisë dhe politikës –Miti i Gjermanisë sekrete” ka analizuar forma të ndryshme të ndër-diskursit që janë shpërfaqur, veç tjerash në veprat e Alfred Bauemler dhe Johannes R. Becher. Analizat e autorit mbi strategjitë diskursive te poetët e angazhuar kundër nacizmit, në veçanti te poetët e shkollës së George, orientohen te ndriçim i rolit të poetit të madh Hölderlinit brenda rrjedhave të kësaj rezistence.

Hasnije Ilazi, ishte paraqitur në kumtesën e titulluar “Refleksione filozofike dhe poetike në romanin e Milan Kunderës”. Në këtë kontekst, ajo gjatë këtij elaborimi, ka vënë në veçanti artin e ironisë dhe ironinë si perspektivë e romanit në të cilin shfaqen koncepte themelore dhe format dominuese të prodhimtarisë letrare të Milan Kunderës.

Profesor, Abdullah Rexhepi në kumtesën “Poezia filozofike dhe filozofia e poetizuar në mendimin pers: Omer Hajam dhe Mahmud Shabestari analizon në veçanti poezinë filozofike të Omer Hajamit dhe temat filozofike të veprës poetike të Mahmud Shabestarit.

Ndërkohë, Profesor Muhamedin Kullashi në kumtesën me titull “Relacionet e filozofisë me poezinë te Nietzsche” ka vënë në pah se të menduarit e Nietzsche-s “është cilësuar shpesh si poetik jo vetëm pse në shkrimin e tij hasim rregullisht një gërshetim të dendur midis koncepteve thellësisht të elaboruara dhe kritike ndaj koncepcioneve tjera, por edhe me imazhe e figura stilistike (metafora, alegori etj.)”.

Adriana Anxhaku, nga Universiteti i Tiranës, në kumtesën “Lojërat e gjuhёs nё poezinë e Martin Camajt” synon të argumentojë se poezia e Camajt ngjason me rolin qё i njeh poezisё Vitgenshtajni, si njё lojё gjuhe e kushtëzuar fort prej situatave kulturore.  Ag Apolloni në kumtesën “Migjeni mes nihilizmit dhe komunizmit” trajton veçorinë e viteve ’30 të shekullit të kaluar për formimin e vetëdijes së elitës shqiptare mbi rëndësinë e zhvillimit të mendimit filozofik.

Apolloni nê këtë kumtesë orvatet në veçanti ta shpjegoj këtë “fenomen të instrumentalizimit të këtij autori”. Blerina Rogova Gaxha, në kumtesën “Vdekja dhe Poezia” trajton fenomenin e vdekjes në poezinë moderne. Ajo sqaron se tema e madhe e njeriut dhe tema më e injoruar po nga njeriu, subjekti që ka frymëzuar letrat e bukura, religjionin dhe filozofinë, “muza e filozofisë” siç e quajti Arthur Schopenhauer, do të bëhet muzë edhe për krijimet poetike të autorëve të ndryshëm.

Ligjëruesi Astrit Salihu në kumtesën “I leht, me krahë dhe i shenjtë, përjashtohet nga shteti” zhvillon një interpretim sipas të cilit qëndrimi i mirëfilltë i Platonit për artin dhe poezinë, për atë që është magjepsëse, tërheqëse dhe e fuqishme në art dhe poezi, nuk implikon kundërshtimin rrënjësor të artit dhe poezisë.

E, Haqif Mulliqi, qe paraqitur me kumtesën “Mbi aspektet e caktuara filozofike në përvojën estetike të poezisë” niset nga teza se poezia mund të jetë e lidhur me filozofinë, pra, të jetë filozofike e njëherësh, mëton të vej në pah se në çfarë konsiston përvoja estetike e atyre poezive që ngërthejnë brenda vetes dimension filozofik. (siç dihet, kjo konferencë ishte mbajtur para pak se H.Mulliqi të kalonte në amshim).

Në fund Valbona Gashi Berisha, në kumtesën e saj “Diskursi i carpe diem në poezinë e Pierre de Ronsard” e zhvilloi një analizë të poezisë së poetit të madh francez Pierre de Ronsard(1524-1585), i njohur për sonetet e tij për dashurinë.

/TV Arbëria

 

Powered by WordPress