Është mbajtur të shtunën mbledhja III e Këshillit të Përgjithshëm të organizatës Gratë për VETËVENDOSJE! (GVV), raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e GVV-së Albulena Haxhiu, në këtë mbledhje tha se sot janë bërë nëntë ditë që nga vrasja e Liridona Ademaj, e cila u vra si pasojë e femicidit, që sipas saj është prezent në shoqërinë e Kosovës.
Ajo tha se burrat patriarkalë po i vrasin gratë dhe se ky është një krim i rëndë për të cilin organet e drejtësisë duhet që të japin dënimet maksimale, pasi sipas saj, neglizhenca ndaj dhunës dhe dënimet minimale për dhunuesit janë duke i inkurajuar ata.
Ajo shtoi se brenda sistemit tonë ka zyrtarë patriarkalë që mendoj që dhuna bën edhe të durohet, ku për këtë bëri thirrje që shteti nuk duhet assesi që dhunuesin ta shndërrojë në vrasës.
Ministrja e Drejtësisë u zotua se çdo ditë të punës së saj do të jetë në luftën ndaj dhunës në familje, në bazë gjinore dhe femicidit.
“Sot nënë ditë më parë është vrarë Liridona Ademaj, Liridona u vra si pasojë e femicidit që për fat të keq është prezent në shoqërinë tonë. Po barazia gjinore e rrënjosur thellë në strukturën shoqërore herë pas he re na shpërfaqet në mënyrën më monstruoze siç ishte edhe rasti i fundit i vrasjes së Liridonës. Burrat patriarkalë po i vrasin gratë, gratë po vriten nga burrat apo partnerët e tyre, ky është krimi i rëndë, është femicid. Për këtë rast dhe për secilin rast kërkojmë drejtësi”, tha ajo.
“Edhe përkundër faktit që janë ndërmarrë shumë veprime deri tani rasti i fundit na tregon që puna jonë duhet të vazhdojë edhe më shumë edhe më fort. Edhe si kryetare e GVV-së edhe si ministre e Drejtësisë, edhe si nënë, edhe si grua zotohem edhe para jush që çdo ditë e punës sime do të jetë në shërbim të kësaj kauze, gjegjësisht në luftën ndaj dhunës në familje, në bazë gjinore dhe femicidin. Për ta luftuar këtë gjendje kërkohet koordinim i madh institucional dhe neglizhenca ndaj dhunës dhe dënimet minimale për dhunuesit i inkurajon ata. Qartazi brenda sistemit tonë ka zyrtarë patriarkalë që mendoj që dhuna bën edhe të durohet. Prandaj shteti nuk duhet assesi që dhunuesin ta shndërrojë në vrasës. Prandaj sistemi i drejtësisë secilin rast të raportuar të dhunës në familje duhet ta adresojë me përgjegjësinë më të lartë dhe vetëm sipas kompetencave të tyre. Mendësia patriarkale nuk ka vend në institucionet e drejtësisë, as në polici, as në prokurori, as në gjykata. Për ne nuk është normale dhunë dhe do ta luftojmë deri në fund, ftoj institucionet e drejtësis që të japin dënimet maksimale për dhunuesit”, tha ajo.
/TV Arbëria