Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A hapi sot KQZ-ja “Kutinë e Pandorës”?

A hapi sot KQZ-ja “Kutinë e Pandorës”?

Votimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i rekomandimeve të sekretariatit të këtij trupi për shkarkimin e katër kryetarëve në veri me 21 prill, ka hapur shumë dilema, paqartësi dhe pikëpyetje tjera. Ky rekomandim u bazua mbi peticionin e qytetarëve serbë në veri, i cili ishte organizuar sipas udhëzimit administrativ të nxjerr nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

 

Kështu, përkundër procedurave tjera, ky udhëzim parasheh që është e nevojshme që të mblidhen së paku 20% të nënshkrimeve të trupit elektoral në një komunë për shkarkimin e një kryetari. Me këtë rast, nëse KQZ konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe verifikohen organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet që 50 përqind plus në votë e qytetarëve me të drejtë vote. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditës për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme.

 

Megjithatë, aplikimi i kësaj procedure për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në pjesën veriore si kusht për të hapur rrugë zgjedhjeve të reja të parakohshme në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zvecanit, ka ngritur shqetësimet mbi implikimet që mund të ketë edhe në pjesët tjera të Kosovës.

 

Këtu vlen të kujtohet se sipas diplomatëve ndërkombëtarë rruga më shkurt dhe më e duhur për mbajtën e zgjedhjeve të parakohshme në komunat veriore ka qenë nëpërmjet dorëheqjes së kryetarëve aktualë, kurse Qeveria e Kosovës ka insistuar deri në fund se ky shkarkim mund të bëhet vetëm nëpërmjet peticionit në bazë të një Udhëzimi Administrativ.

 

Ndërkohë, tash e tutje, nuk asnjë pengesë që ky udhëzim të mos përdoret nga partitë politike si “armë administrative” kundër oponentëve të tyre politikë. Duke filluar nga sot është krijuar precedenti që e njëjta situatë të përsëritet në çdo komunë tjetër, pavarësisht se nga cila parti apo komunitet drejtohet. Në këtë mënyrë vendimi i sotëm i KQZ  i ka hapur rrugë “Kutisë së Pandorës” sa i përket pushtetit të kryetarëve të komunave, fundi së cilës nuk shihet në horizont, pos nëse dikush e dërgon këtë udhëzim në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim kushtetues.

 

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

.

 

Powered by WordPress