9 tetori njihet si Dita Ndërkombëtare e Postës.
Shërbimet postare janë shërbimet më të vjetra dhe më të përdorshmet. Ato lindën së bashku me njerëzimin, si një nevojë e domosdoshme e komunikimit midis fiseve, krahinave e rajoneve të ndryshme.
Në periudhën e hershme ato u realizuan në forma të ndryshme duke shfrytëzuar edhe relievin natyror dhe pozicionet gjeografike, duke përdorur sinjale me zë, me zjarre e forma të tjera.
Me zhvillimin e shoqërisë njerëzore, avancuan mënyrat e komunikimit, filluan të përdoren lajmëtarët që lëviznin me këmbë, me ditë të tëra për dërgimin e lajmit, filluan sinjalet me brirë, daulle, sinjale ndriçuese, të cilat përbëjnë edhe fillimin e organizimit të shërbimit postar.
Dokumenti i parë i shërbimit postar është gjetur në Egjipt dhe daton rreth 255 vjet përpara lindjes së Krishtit. Sipas këtij dokumenti, shërbimi postar është prezent në të gjithë kontinentet në formë të mesazheve, për dërgimin e tyre udhëtohej me ditë e muaj nga një kontinent në tjetrin.
Ky lloj shërbimi sigurisht erdhi duke u zhvilluar e përsosur si një nevojë e domosdoshme e komunikimeve universale, ku filluan të përdoren kalorësit dhe karrocat me kalorës dhe në raste të veçanta të shoqëruar me forca të tjera.
Një rëndësi të veçantë në këtë periudhë mori shpejtësia e dërgimit të mesazheve dhe mbrojtja e lajmëtarëve. Në shumë vende lajmëtarët filluan të shoqëroheshin me mjetet e kohës duke transmetuar lajmin në formë stafete deri në mbërritjen në destinacion.
Në këto momente konfigurohet realisht simboli tani i pa zëvendësueshëm i lajmëtarit (sot shpërndarësi i postës), i cili tani është transmetuesi dorë më dorë i të gjitha mesazheve të shkruara, mesazhe të cilat nuk mundi t’i zëvendësojë as teknologjia e sotme moderne.
Me lindjen dhe zhvillimin e sistemit kapitalist, shërbimi postar u bë një domosdoshmëri e veçantë komunikimi ndërmjet vendeve që tani kishin një zhvillim të shpejtë industrial.