Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit (GCC), Jasem Mohamed Albudaiwi.
Ky takim, sipas një komunikate, u zhvillua me qëllim të thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe vendeve anëtare të kësaj organizate me rëndësi strategjike.
“Në këtë takim, Ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e vendosjes së një komunikimi të rregullt dhe bashkëpunimi të qëndrueshëm me GCC-në, si pjesë e përpjekjeve të Kosovës për zgjerimin e pranisë dhe afirmimin e saj në skenën ndërkombëtare. Me këtë rast, ajo prezantoi disa nga mundësitë konkrete për bashkëpunim në fusha të ndryshme.”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Ministrja Gërvalla njoftohet se falenderoi Sekretarin Albudaiwi për takimin miqësor dhe konstruktiv, duke shprehur pritjet për hapat e ardhshëm drejt ndërtimit të një dialogu të vazhdueshëm dhe bashkëpunimi të strukturuar ndërmjet Kosovës dhe GCC-së.