Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ekskluzive: Sportistit nga Prishtina i konfiskohet patent-shoferi në Rumani me arsyetimin se s’e njohin Kosovën, nuk i kthehet as pasi paguan Pagesën Ndërkombëtare të Shoferit

Ekskluzive: Sportistit nga Prishtina i konfiskohet patent-shoferi në Rumani me arsyetimin se s’e njohin Kosovën, nuk i kthehet as pasi paguan Pagesën Ndërkombëtare të Shoferit

Qytetari nga Prishtina, Labinot Limoni ka bërë të ditur se më 26 gusht gjatë kthimit nga Rumania në Kosovë, 15 km para hyrjen në kufirin bullgar, policia rumune ia ka konfiskuar patent-shoferin e Kosovës, ndonëse Limoni mohon të ketë kryer ndonjë shkelje në trafik.

Sipas Limonit, patent-shoferi i është konfiskuar me arsyetimin se Rumania nuk e njeh Kosovën si shtet, andaj edhe dokumenti nuk njihet.

Tutje ai thotë për TV Arbëria se ai e ka bërë pagesën për patent-shoferin ndërkombëtar ashtu siç i është thënë dhe ia ka dërguar konfirmimin e pagesës autoriteteve rumune, mirëpo kompania përkatëse i ka thënë se nuk mund t’ia dërgojë atë me postë në Kosovs, pavarësisht pagesës shtesë që ka bërë. Kjo pasi dokumenti nuk njihet në Rumani.

Limoni deklaron tutje për TV Arbëria se është maltretuar për më shumë se dy orë në rrugë, ndonëse i kishte treguar rastin me babain e tij të sëmurë.

“Për më tepër, më mbajtën dhe më maltretuan për më shumë se dy orë në rrugë, pavarësisht se i tregova situatën e babait tim të sëmurë dhe i dërgova prova me foto. Policia më tha që ta dërgoj patentën me postë, por të presim konfirmim nga patentë ndërkombëtare, gjë që është e padrejtë, sepse Rumani nuk i njeh këto dokumente.”, ka treguar Limoni për TV Arbëria.

Qytetari Labinot Limoni i ka dërguar e-mail edhe Ambasadës së Kosovës në Sofje, duke i treguar tërë rastin dhe konfirmin e pagesës për patent-shoferin ndërkombëtar. Ai i ka kërkuar Ambasadës që të marrë masa urgjente tek autoritetet rumune, për t’ia kthyer patent-shoferin.

Ambasada e Kosovës në Sofie i kanë thënë se patent-shoferin autoritetet rumune duhet t’ia kthejnë, megjithatë Limoni nuk beson në këtë.

“Ambasada e Kosovës në Sofie më ka thënë se patentën duhet ta kthejnë, por unë nuk kam besim te policia rumune. Ky veprim nuk është vetëm padrejtësi ndaj meje si qytetar, por përbën konfiskim të një dokumenti shtetëror të Republikës së Kosovës, trajtim diskriminues, shkelje të të drejtave të njeriut dhe abuzim procedural.”, ka deklaruar Limoni.

Labinot Limoni, sportisti dhe producenti televiziv nga Prishtina, është djali i të burgosurit politik, Avdi Limoni. /TV Arbëria