Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar Ankesën Administrative të kandidatit të PDK-së për kryetar të komunës së Deçanit, Korab Mushkolaj, kundër vendimit të PZAP.
KQZ kishte vendosur të mos e certifikojë kandidaturën e Mushkolajt në zgjedhje lokale, kurse i njëjti ishte ankuar në PZAP.
Ky organ e kishte refuzuar ankesën e tij, teksa pas ankesës në Supreme edhe organi më i lartë gjyqësor e ka refuzuar ankesën e Mushkolajt.
“Nga shkresat e lëndës rezulton se PZAP-i, më datën 22.08.2025 ka pranuar ankesën e paraqitur nga kandidati i propozuar për Kryetar të Komunës së Deçanit, në të cilën, veç tjerash, theksohet se me akt emërimin nr.050 dt.11.01.2013, është emëruar në pozitën Zyrtar i Lartë për Politika Konsullore në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me gradë koeficienti 8 dhe nivel profesional . Kjo pozitë hyn në kategorinë e shërbimit civil dhe me status të veçantë sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Kosovës. Më tutje, ka theksuar se më dt.4.08.2025, ka paraqitur kërkesë për pezullim të marrëdhënies së punës, në përputhje me nenin 25 të Ligjit Nr.08/L-197, për Zyrtarët Publik. Më datën 21 gusht 2025, KQZ me vendimin nr.01/2196-2025, duke u bazuar në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme e ka refuzuar certifikimin e kandidatit Korab Mushkolaj, i cili është “funksionar publik dhe anëtarë i shërbimit të jashtëm” në MPJD-së. Ka theksuar se nenin 30 të LPZ, par.1, nënp.1.1 dhe 1.2 duhet të lexohen jo si ndalesë absolute, por si një kufizim i kushtëzuar dhe se KQZ, nuk ka dhënë arsyetim të plotë juridik dhe nuk kanë pas parasysh kërkesën e tij për pezullim të dt.4.08.2025.”, thuhet në arsyetim.