Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse SHBA-të nuk duhet ta “mbrojnë” Kosovën nga Albin Kurti?

Pse SHBA-të nuk duhet ta “mbrojnë” Kosovën nga Albin Kurti?

Shkruan: Afrim Kasolli

Ditëve të fundit, Ambasada amerikane në Prishtinë është “rizgjuar” nga “gjumi” politik, pas një “heshtje” të pazakontë veçanërisht që nga përfundimi i zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.

E ngarkuara më Punë në këtë Ambasadë, Anu Prattipati, përpos intervistave mediale, po ashtu ka qenë tejet aktive sa i përket takimeve me liderët e partive kryesore parlamentare. E njëjta ishte parë duke trokitur edhe në dyert e  Gjykatës Kushtetuese, një ditë para publikimit të njoftimit mbi aktgjykimin që mëton ta krijojë bazën e zhbllokimit të shtetit të Kosovës, si dhe një ditë pas sulmeve brutale politike nga presidentja Osmani mbi këtë institucion. Madje eksponentë të partisë fituese të zgjedhjeve nuk nguruan që këtë solidaritet amerikan me punën e Gjykatës ta cilësojnë si konspiracion kundër vullnetit demokratik.

Ky “hiperaktivizim” i diplomates amerikane mund të reduktohet në dy tema kryesore. E para thirrja e saj drejtuar përfaqësuesve të shtetit të Kosovës,  që të distancohet nga metodat dhe truqet administrative dhe politike, ku do t’i privonin parti të caktuara për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sepse një akt i tillë do ta minonte legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve dhe me këtë demokracinë. Duket që ajo ka pasur informata se në prapaskenë është duke u përgatitur një skenar i tillë, sidomos në katër komunat veriore me shumicë serbe, me qëllim që të pengohet “rirobërimi” i asaj pjese nga Lista Serbe. Pasi siç dihet, “çlirimi” i tij mbetët njëra nga kauzat me “pragmatike” për përftime të brendshme politike.

Dhe e dyta, që partitë politike në vend të dilemave dhe paqartësive pa humbur kohë duhet ta zbatojnë aktgjykimin që pritet të publikohet se shpejti të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me procedurat e konsititumit të Kuvendit.

Personalisht kam “rezerva” për vazhdimin e këtij “intervenimi” diplomatik amerikan në favor të mbrojtjes së rendit kushtetues në vendin tonë. Ky ideal duhet të jetë obligim dhe detyrim i qytetarëve të Kosovës. Në fund të fundit, ëshgtë cështje e vullnetit se a dëshirojnë të jetojnë nën sundimin e ligjit dhe të drejtës, apo pajtohen për t’u sunduar nga arbitrariteti politik? Sepse Kushtetuta dhe ligjet janë një letër e vdekur nëse nuk ka gatishmëri shoqërore për të jetuar dhe vepruar në pajtim më to.

Në këtë kontekst nëse ekziston ndonjë parti politike, siç po jep shenja aktualisht Lëvizja Vetëvendosje se mund ta shpërfill aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, ky i fundit duhet të mbrohet nëpërmjet aksioneve të brendshme politike.  Ashtu siç ndodh në shumë shtete me vokacion demokratik.  Vende më tradita të tilla reagojnë në mënyrë kolektive kur pushteti tenton ta shfuqizoj rendin juridik.

Madje edhe në SHBA- kohën  e fundit janë mbajtur disa nga protestat me të mëdha në historinë e këtij shteti me moton “No kings protest” kundër tendencave për interpretim arbitrar të ligjit nga presindenti Trump.

Me këtë rast, është obligim edhe partive opozitare që në vend se t’i varin shpresat nga kancelaritë diplomatike për ta mbrojtur rendin kushtetues të Kosovës të mobilizohen edhe vetë në funksion të kësaj kauze.  E nëse politikisht nuk janë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë, atëherë  ato nuk i nevojiten Kosovës, por vetëm Albin Kurtit, për t’ia lehtësuar sundimin atij. Mbase zhveshja e tyre nga kapaciteti për aksion politik dhe konvertimi i rolit të tyre vetëm në shfaqje të spektaklit, është nja nga arsyet se pse, pavarësisht disfatave juridike vazhdojnë t’i ofrojnë komoditet politik liderit të Lëvizjes Vetëvendosje.