Biznesmenit Shkumbin Maloku pretendon se i ka ardhur fatura e energjisë elektrike për marketin e tij, për muajin qershor, 1 mijë e 71 euro.
Maloku thotë se për biznesin e tij që ka 170 metra katrorë, muajin e kaluar pagoi 715 euro, edhe pse shpenzoi njëjtë.
“Muajin e kaluar pagova 715 euro, tash po më kërkojnë 356 euro më shumë për të njëjtin konsum. Kjo nuk është rritje normale – kjo është shkatërrim i qëllimshëm i biznesit privat, nga ku ky shtet merr taksat, të hyrat dhe pagat.”, ka shkruar Maloku.
Ai tutje ka pyetur se si mund të mbijetojë një biznes i vogël me fatura kaq të çmendura.
“Si mund të mbijetojë një biznes i vogël me fatura kaq të çmendura? Çfarë po ndodh me këto tarifa? Kush i kontrollon këto çmime? Apo janë të lirë t’i rrisin si të duan, sepse askush nuk përgjigjet?”, ka shkruar ai.
Maloku ka bërë thirrje që të mos heshtet karshi kësaj gjendjeje.
“Sot, na kanë zënë në gjumë, por kjo faturë është një shuplakë – për të na zgjuar. Sepse kjo nuk është faturë për rrymë, kjo është faturë për dështimin e shtetit dhe për heshtjen tonë.”, ka shkruar ai.