Doarsa Kica-Xhelili, nënkryetare e LDK-së ka reaguar ndaj deklaratave se me vendimin e fundit që nuk lejohet mbajtja e postit të ministrit dhe deputetit në të njëjtën kohë, Gjykata Supreme ka shkelur Kushtetutën.
Ajo ka thënë se në rastet kur Gjykatat e rregullta vlerësojnë se kemi dyshime mbi kushtetutshmërine e ligjeve apo akteve nënligjore, ekziston mundësia e kontrollit incidental, ku, kur një gjykatë e rregullt vlerëson se ka dyshime që një ligj është në kundërshtim me Kushtetutën, ajo pezullon çështjen dhe kërkon interpretim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me ligjin.
Sipas saj, në lidhje me veprimet e palëve gjykata e rregullt ka të drejtë absolute të japë mendim “sepse ligji dhe gjykatat i nënshtrohen Kushtetutës”.
“Asnjë gjykatë e rregullt nuk lejohet të mos e respektojë Kushtetutën dhe madje ka rol PRIMARË që kjo të mos ndodh.”, ka shkruar Kica-Xhelili.
Ajo ka deklaruar se eksponentët e qeverisë në detyrë kanë dështuar brutalisht ta kuptojnë rolin e parimeve kushtetuese.
“Të dështosh kaq brutalisht në kuptimin e rolit të parimeve kushtetuese dhe domosdoshmërisë që ligjet të ofrojnë detajim shtesë për mbrojtjen e atyre parimeve, përmes mekanizmave të rregullt gjyqësor, është injorancë e llojit të vet.”, ka shkruar deputetja.