Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar Gjykatës caktimin e masës së paraburgimit për Murat Latifin, policin e Njësisë Speciale të arrestuar sot në Vushtrri.
Kjo për shkak të dyshimit se Latifi ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Sipas policisë, ekziston dyshimi se me datë 18 qershor 2025 i pandehuri M.L., kontaktohet përmes telefonit nga i pandehuri K.M., i cili e vëren një dron mbi shtëpinë e tij dhe e pyet të pandehurin M.L., se a është duke u hetuar nga policia, i dyshuari – zyrtar policor e informon se në rast kur ai është duke u hetuar ose të ketë veprime tjera do ta njoftojë.
“Ekziston dyshimi se me datë 02 shtator 2025 në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, i pandehuri me dashje e duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar si zyrtar policor, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe personin tjetër, shkon tek shtëpia e të pandehurit K.M., dhe e merr dhe e largon nga shtëpia duke shkuar në drejtim të Prishtinës.”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Po ashtu, i pandehuri Latifi në shtëpinë e tij në Vushtrri ka mbajtur një sasi të fishekëve, si dhe në një lokal nate i njëjti përdor armën e tij duke shtënë brenda lokalit shtatë – tetë here, si dhe një ditë tjetër shihet duke shtënë tre herë, pamje këto të publikuara nëpër rrjete sociale, të gjitha këto veprime në kundërshtim me Ligjin mbi armët.
“Të pandehurit, gjatë bastisjes së mbrëmshme në shtëpinë dhe veturën e tij, i janë sekuestruar dy telefona dhe fishekë.”, ka njoftuar PK-ja.