Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar pasi presidentja Vjosa Osmani dje njoftoi se kishte tërhequr kërkesën që ia kishte parashtruar Gjykatës Kushtetuese më 22 korrik në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas saj, gjyqtar raportues i lëndës është caktuar Radomir Llaban, i cili gjithmonë sipas Presidentes ka veprimtari që paraqet rrezik për rendin kushtetues në Kosovë.
Ambasada thotë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj. Tutje shton se vendimet e saj duhet të respektohen dhe zbatohen.
“Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët, dhe vendimet e Gjykatës të respektohen dhe zbatohen.”, thuhet në komunikatën e kësaj Ambasaade.