Shkruan: Afrim Kasolli
Pas zemërimit të hapur publik me sjelljet gjithnjë e më agresive të Vladimir Putinit në Ukrainë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është zotuar për ta furnizuar ushtrinë ukrainase duke i dërguar sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot. Sipas drejtuesit të Shtëpisë së Bardhë, Kievit ky sistem i nevojitet tej mase, për ta mbrojtur veten, sepse “Vladimir Putin, ndonëse flet mirë, pastaj i bombardon të gjithë në mbrëmje”
Ky zhvillim i “befasishëm” tashmë tregon se gjithnjë e më tepër se Donald Trump e ka humbur shpresën se do ta mund ta sigurojë një armëpushim dhe marrëveshje paqësore për atë luftë. Madje i njëjti, edhe kishte premtuar se do ta ndalonte 24 orë pasi ta merrte drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Apo se me të në pushtet ajo as që do të kishte shpërthyer, por ishin gabimet diplomatike të ish-administratës demokrate të drejtuar nga ish-Presidenti Biden, që ndikuan në shpërthimin e saj. Po ashtu, në planet fillestare paqësore, kjo administratë ishte pajtuar edhe me legalizimin e territoreve të pushtuara të Ukrainës nga ushtria ruse, si dhe për ta plotësuar kërkesën e Moskës, se anëtarësimi i Kievit në NATO, nuk duhet të jetë opsion.
Por, siç duket presidenti Putin i joshur nga perspektiva e fitores përfundimtare nuk është pajtuar me këto kushte të paqes. Një dëshmi kjo se fundi i kësaj luftë nuk shihet në horizont. E Perëndimi e ka jetike të mos e lejojë kapitullimin e Ukrainës. Ngase ky skenar do të ishte fatal edhe për komunitetin transatlantik. Në fund të fundit, lideri rus e ka bërë të qartë se synimi i tij mbetet rikthimi orës së historisë, ku shumica e shteteve të ish-bllokut sovjetik që janë anëtarësuar në NATO- duhet të kenë rol neutral si parakusht për siugurinë e Rusisë.
Megjithatë, ashpërsimi i këtij konflikti do të ketë implikime edhe për Kosovën me theks të veçantë raportet e saj me Serbinë. Dhe atë jo vetëm pse Serbia është njëri nga vendet aleate të Kremlinit në rajon, por edhe për shkak të faktit se Beogradi ka e mbështetur me armë ushtrinë ukrainase, çfarë ka shkaktuar edhe një lloj zemërimi në qarqet ekstreme në rrethin e Putinit.
Është kjo edhe arseja që komuniteti ndërkombëtar në masë të madhe ka qenë tejet tolerant në raport me Serbinë edhe në raport me sjelljet e saj destruktive ndaj Kosovës. Madje, ishte ish-Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hil, para pak ditësh në një intervistë për mediumin Evropa e Lirë e ka thwnw nw mwnyrw tw hapur se “çështja kryesore në skenën evropiane në këtë moment është Ukraina. Vendet që janë të gatshme ta ndihmojnë Ukrainën dhe të bashkëpunojnë me të, janë vendet me të cilat ne dëshirojmë të punojmë. Ta bësh Ukrainën një çështje dytësore në raport me problemet më të vjetra, mendoj se është gabim dhe nuk e kap thelbin e çështjes. Serbia ka ndihmuar në çështjen e Ukrainës dhe ne duam që ky bashkëpunim të vazhdojë”.
Prandaj, është me rëndësi që shteti i Kosovës ta ketë parasysh këtë aspekt, dhe të di si të sillet në raport me partnerët strategjik, sepse deri më tani vetëm gara e brendshme ndërmjet kryeministrit Albin Kurti Kurti dhe presidentes Osmani, për ta portretizuar kryetarin serb Aleksdandër Vuciq vetëm si zgjatim të Putinit në Ballkanin Perëndimor, nuk është se ju ka ndihmuar shumë.