Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj personi për fajde dhe armëmbajtje pa leje.
I pandehuri Y.M nga Reshtani i Suharekës akuzohet se ndaj të dëmtuarit S.SH, i cili ia kishte 2 mijë e 500 euro borxh, aplikoi kamatë mujore me interes fillimisht 250 euro e më pastaj 500.
I akuzuari më pas kapet në flagrancë duke pranuar fajden.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri Y.M., nga data 31.12.2024 e në vazhdimësi deri me datë 16.04.2025 në fshatin Reshtan – Komuna e Suharekës, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit S.Sh., në atë mënyrë që i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë financiare, nga i pandehuri merr të holla në shumë prej 2.500 € (dymijë e pesëqind euro), me kamatë mujore me interes në shumë prej 250 (dyqindepesëdhjetë euro), pastaj i pandehuri për shkak vonesave që ka pasur i dëmtuari në kthimin e huasë bashkë me interesin, kamata mujore arrinë në shumë prej 500 € (pesëqind euro), dhe i pandehuri për sigurimin e huasë bashkë me interesin, me datë 16.04.2025 takohet me të dëmtuarin ku i dëmtuari në emër të fajdesë ia jep shumën prej 1.000 € (njëmijë euro) të pandehurit i cili pastaj me paratë e marra nga i dëmtuari arrestohet në flagrancë nga policia. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu, me rastin e kontrollimit të veturës së të pandehurit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të madhe të armatimit.
“Po ashtu, i pandehuri Y.M., mban në pronësi, kontroll ose posedon armë në kundërshtim Ligjin për armët, në atë mënyrë që me rastin e kontrollimit të automjetit “Opel Astra”, pronë e të pandehurit janë gjetur:
1 (një) pistolete ngjyrë e zezë e modelit P22 Ëalther,
1 (një) karikatorë i zbrazët,
1 (një) fishekë i armëve të gjata dhe
2 (dy) fishekë të pistoletës.
Ndërsa, gjatë kontrollimit të banesës së tij, janë gjetur:
1 (një) pistoletë e modelit Rohm RG96, kalibrit 9mm;
1 (një) karikator i pistoletës me 9 (nënte) fishekë,
45 (dyzetë e pesë) fishekë për arme te gjata,
1 (një) kuti plastike ne të cilën gjendeshin brenda 36 (tridhjete e gjashte) fishekë të pistoletës, me mbishkrim G.F.L 9mm, Luger,
1 (një) armë zjarri e gjatë,
1 (një) karikatorë i armëve të gjata (skorpionit) me 1 (një) fishekë, me mbishkrim në baze G.F.L, 9mm Luger. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.”, thuhet në njoftim.