Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > A ia bëri të qartë Sekretari Marco Rubio shtetit serb se vazhdon të mbetet burim i tensioneve rajonale?

A ia bëri të qartë Sekretari Marco Rubio shtetit serb se vazhdon të mbetet burim i tensioneve rajonale?

Shkruan: Afrim Kasolli

Nuk ka dyshim se çdo takim i zyrtarëve të shtetit serb më përfaqësuesit më të lartë të shtetit amerikan nuk është në favor të Kosovës. Për më shumë takime të tilla shprehin forcimin gjithnjë e më të madh të lidhjeve diplomatike të Beogradit me Uashingtonin. Kurse mjerisht në këtë kohë Kosova ka qenë gjithnjë e më pak aktive në këtë drejtim. Madje shteti Kosovës sot nuk ka asnjë kompani lobimi në këtë shtet, kurse Serbia i ka angazhuar disa të tilla.

Në këtë kontekst, mund të shihet edhe takimi i Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq. Sipas komunikatës zyrtare të dy diplomatët janë pajtuar, që Shtetet e Bashkuara dhe Serbia të zhvillojnë dialog të përbashkët strategjik në fund të këtij viti. Ndërkohë në një postim në rrjetin e tij social X, po ashtu top diplomati amerikan ka shtuar se “jemi të përkushtuar për marrëdhënie me dobi të ndërsjellë me Serbinë, e cilat sjellin përfitime për qytetarët tanë dhe interesat tona”.

Megjithatë, përkundër këtij raporti idilik në shikim të parë, ky takim reflekton edhe shqetësimin dhe brengën e administratës Trump për rolin destruktiv të Serbisë sa i përket paqes dhe sigurisë rajonale. Sepse në fokus të këtij bashkëbisedimi është shtruar edhe “nevoja urgjente e uljes së tensioneve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë dhe në Bosnje Hercegovinë”.

Kjo nuk do të thotë që Kosova është jashtë vëzhgimit amerikan në këtë drejtim. Përkundrazi, hiç me larg se dje nëpërmjet një komunikatës zyrtare e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikanë në Prishtinë, Anu Prattipati, u ka bërë thirrje autoriteteve të shtetit të Kosovës që të heqin dorë nga taktikat administrative dhe politike për të pamundësuar pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor për të gjitha partitë e certifikuara në Kosovë. Po ashtu, e njëjta duke marrë shkas nga sulmet e pushtetit, konkretisht të Presidentes Osmani mbi Gjykatën Kushtetuese, ka trokitur në dyert e këtij institucioni, duke përçuar mesazhin e solidaritetit amerikan me punën e Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, adresimi në mënyrë të hapur i shqetësimeve që prekin sigurinë si në Bosnje ashtu edhe në Kosovë, tregon se Departamenti i Shtetit vazhdon të konsideroje shtetin serb si përgjegjës kryesor për destabilizimin rajonal. Prandaj, krye diplomatit të Beogradit i është tërhequr vërejta që të përmbahet nga veprimet kërcënuese veçanërisht në Bosnje, sidomos në një kohë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnjë Hercegovinë ka vendosur unanimisht t’ia revokojë mandatin e Presidentit të Republika Srpska, Milorad Dodik, pasi i njëjti është dënuar me vendim të formës së prerë për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në atë shtet.

Ndërkohë, nën dritën e këtyre zhvillimeve presidenti serb, Aleksandër Vuciq gjatë një tubimi masiv në Beograd me një gjuhë ultra nacionaliste ka dëshmuar se shteti i tij nuk e pranon arkitekturën e sigurisë rajonale të garantuar nga SHBA-të. Pra ashtu sikur Putini që po e minon rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë, ngjashëm edhe lideri serb po i saboton arritjet e tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Përfundimisht, është me rëndësi që Kosova të shfrytëzoji këtë situatë e jo t’ia lehtësoj pozicionin delikat Serbisë duke qëndruar pasiv në aspektin diplomatik. /TV Arbëria