Partitë parlamentare opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe ajo jashtëparlamentare, Partia Socialdemokrate kanë kundërshtuar marrëveshjen e Ohrit, të 18 marsit, për të cilën u dakorduan kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Derisa të enjten në Kuvendin e Kosovës Kurti raportoi për marrëveshjen e Ohrit për të cilën pati debat pozitë-opozitë, gjatë ditëve të kaluara Partia Socialdemokrate ka realizuar disa aksione simbolike për të kundërshtuar marrëveshjen.
Aksionet simbolike të PSD-së ishin kundër kryeministrit Albin Kurti, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
PSD këtë të martë realizoi një aksion simbolik në hyrje të Prishtinës, gjersa kryeministri Kurti e quajtën “Pinokio”.
PSD-ja gjatë këtij aksioni ka vendosur një poster me fotografinë e kryeministrit Kurti, përmes së cilit ka bërë thirrje që të protestohet më 25 mars në orën 14:00 kundër kësaj marrëveshje.
Në posterin e vendosur, kjo parti e ka paraqitur kryeministrin si “Pinokio”, personazh në përralla që është kukull druri, e të cilit sa herë që gënjen i rritet hunda.
“Protesto kundër marrëveshjes! Kundër mashtrimit!”, thuhej në posterin e vendosur mbi urë.
Po të martën aktivistët e PSD-së e ‘sulmuan’ me tortë e qumësht zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin.
Është vetë kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, që ka publikuar videon, kur aktivistët e këtij subjekti politik kanë provuar t’ia hedhin tortën në fytyrë Bislimit, ndërsa i kanë hedhur qumësht, derisa ai po hynte në një objekt.
“Tortë e milkshake për ‘Zajednicën’. E gëzofshin këta që e pranuan! Kurse ne, qytetarët e Kosovës, do ta kundërshtojmë atë e të kërkojmë masivisht dorëheqjen e tyre. Prandaj, protestojmë të shtunën, me 25 mars, në orën 14:00”, ka shkruar Molliqaj, transmeton Telegrafi.
E të enjten, aktivistët e PSD-së aksionin simbolik e zhvilluan në Kuvendin e Kosovës, ku shkruan një parullë në veturën e kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
“Edhe asi, edhe ksi”, ishte parulla që PSD e ngjyrosi në veturën e Konjufcës.
“Ky është Glauku i shpërfytyruar. ‘Edhe ksi edhe asi’: kjo është parulla që kemi shkruar në njërin nga xhipat e Glauk Konjufcës.Kështu lexohen qëndrimet e tij. Pasi ta dëgjosh deklarimin, përmbyse atë dhe kështu del e vërteta e tij. Ky është Glauku i shpërfytyruar”, shkruante aktivisti i PSD-së, Zgjim Hyseni.
Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) si aksion simbolik për kundërshtimin e Asociacionit kanë shkruar në muret e disa ndërtesave publike fjalët “Albin Zajednica”.
PSD ka thirrur një protestë për të shtunën në shenjë pakënaqësie ndaj zbatimit të aneksit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në Ohër, sipas së cilës kryeministri Kurti është dakorduar për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
/TV Arbëria