Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Mbi “fazhizimin-jakobinist” anti-kushtetues të kryeministrit

Mbi “fazhizimin-jakobinist” anti-kushtetues të kryeministrit

Shkruan: Afrim Kasolli – Në intervistën e mbrëmshme në RTK, kryeministri Kurti e vazhdoi avazin e vjetër të ligjërimit “pedagogjiko-politik” të “marrë” dhe “dhënieve” ndërkombëtare.

Pra tashmë me ardhjen e tij në pushtet, politika e jashtme e Kosovës, është rikthyer në kuptimin e saj autentik, si proces “dy kahor” e jo “një kahor” siç ka qenë deri më tani, sepse populli tashmë ka vendosur ndryshe. Dhe antagonizimi me SHBA-të, legjitimohet nga rezultati i 14 shkurtit.

Në këtë mënyrë, i pari i Qeverisë e percepton misionin për vetën si një agjent social, politik dhe kulturor, ku “Ai” jo vetëm që e flet të vërtetën për popullin, por e vërteta e këtij të fundit flet nëpërmjet drejtuesit të ekzekutivit.

Mirëpo, se veprimet e tij janë pikërisht larg këtij koncepti për marrëdhëniet ndërkombëtare e dëshmon pajtimi që ka arritur me Serbinë si për Marrëveshjen bazike të Brukselit ashtu edhe më planin e sekuencimit të dakorduar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, duke dhënë gjithçka nga Kosova pa marrë asgjë në këmbim.

Ndërkaq, kulmi i kësaj anomalie politike dhe juridike padyshim se qëndron në ftesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese që të bëhet pjesë e zgjedhjeve. Madje një qasje të tillë identike para pak dite e kishte mbrojtur edhe vartësi i tij Besnik Bislimi, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Administratë Publike në Kuvendin e Kosovës. Sipas këtyre dy eksponentëve të pushtetit, tashmë institucioni më i lartë juridik është duke ndërhyrë në mandatin që këta e kanë fituar nga populli. Dhe kjo përbën një shkelje ta parimeve të demokracisë së drejtpërdrejtë popullore.

Por as ky qëndrim bizar i këtij pushteti nuk është i rastësishëm. Si i tillë, ai dervion nga ato traditat që dikur i kishin ushqyer konceptet politike të fashizmit juridik. Ndër më të njohurat në këtë drejtim mbetet teza e juristit të njohur famëkeq Carl Shmitt, të shtjelluar në librin “State, Movement, People: The Triadic Structure of the Political Unity”.

Në bazë të këtij interpretimi, një entitet politik duhet të ndërtohet mbi tri shtylla; Popullin, Lëvizjen dhe Liderin, si mishërim i tyre. Ky solucion për këtë jurist do të ofronte zgjidhje edhe për krizën e demokracisë liberale, sepse e para e afirmon homogjenitetin kurse e dyta individualitetin.

Kurse, Hannah Arendt, në librin “Origjinat e totalitarizmit” konstaton se qëllimi kryesor i lëvizjeve i mbetet nënshtrimit ndaj interesave politike dhe ideologjike të tyre. Pra, për dallim nga partitë që e konsideronin shtetin mbi këto organizime të pjesshme, sepse ato e përfaqësonin vetëm një segment të shoqërisë kurse shteti tërësinë, lëvizjet këtë të fundit e konsideronin vetëm si një makinë burokratike në funksion të qëllimeve të tyre. Sepse ato janë tërësia. Mbi shtetin. Dhe marrin rol pan-përfaqësues. Kështu, kurdo dhe ku të munden ato tentojnë ta zëvendësojnë rolin e shtetit me atë të lëvizjes.

Në këtë kontekst, asgjë nuk i kundërvihet më shumë kësaj mendësie se sa traditat e mendimit politik kushtetues. Rolin dhe funksionin e tyre në një shoqëri demokratike e kishte elaboruar në mënyrë tejet brilante para pak dite në një emision televiziv kryetarja e Gjykatës Kushtuese të Kosovës, Gresa Nimani Caka.

Kështu, me sa duket, i dalldisur rezultati i 14 shkurtit, kryeministri po kalkulon se nuk i ka mbetur asnjë instancë e panënshtruar ndaj pushtetit të tij, pos Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, për ta plotësuar këtë apetit i duhet që edhe Gjykata Kushtetuese të bëhet pjesë e zgjedhjeve. Që t’ia tregojë vendin edhe asaj.

Këtë lloj doktrine e ka analizuar Hegeli në veprën e tij monumentale “Fenomenologjia e Frymës” Në pjesën mbi “Lirinë Absolute dhe Terrorin” ky zotërues “absolut” i frymës krijuese njerëzore, pohon se kodin themelor të saj e përbëjnë aspiratat politike jakobine. Kushdo që nuk i përshtatet asaj konsiderohet fraksion. Të tjerët trajtohen me dyshim; si grupe që dëshirojnë ta shkëpusin veten nga vullneti i përgjithshëm. Pra ata definohen si vullnete private që duhet eliminuar. Kjo edhe është arsyeja që asgjë s’mund t’i ikë furisë së saj destruktive dhe negativitetit të zbrazët. Sepse siç pohon Hegeli “vetëm nga shkatërrimi i asaj që është objektive ky vullnet negativ e përjeton sensin e të qenit ekzistent”.   

E, sociologu i njohur, Jean-Werner Muller, në traktatin e tij politik” Ç’është Populizmi”? pohon se edhe sot ekziston një përkitje e çuditshme ndërmjet populizmit dhe doktrinës politike jakobiniste. Dhe ky fqinjërim nuk u shfaq kurrë më shumë se mbrëmë, në ftesën drejtuar ndaj Gjykatës Kushtetuese për ta matur fuqinë e saj në popull.

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Themes by WordPress