Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Rajoni > 62 mijë litra naftë kontrabandë nga Libia, Policia e Shqipërisë prangos tre shtetas shqiptarë dhe 10 të huaj

62 mijë litra naftë kontrabandë nga Libia, Policia e Shqipërisë prangos tre shtetas shqiptarë dhe 10 të huaj

Tentativa për të futur naftë kontrabandë nëpërmjet Durrësit, ka çuar në prangosjen e 13 personave, mes të cilëve tre janë shqiptarë, ndërsa 10 të tjerë shtetas të huaj.

62 mijë litra naftë nga Libia, kishin si destinacion tregun shqiptar. Bashkë me naftën janë sekuestruar edhe dy peshkarexha, nëpërmjet të cilave ka qenë duke u zhvilluar operacioni kontrabandë i naftës libiane.

Sipas policisë, dy peshkarexhat janë konstatuar më 12 janar dhe një ditë më pas është kryer edhe operacioni i policisë shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanza, që ka çuar në arrestimin e pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes “Geni”, si dhe anijes libiane “Abobakr 124”.

Bazuar në një konferencë për shtyp të policisë për ngjarjen në fjalë, personat e arrestuar janë identifikuar si shtetasit: E. Q., 31 vjeç, K. K., 30 vjeç, S. G., 65 vjeç, banues në Durrës dhe M. E., 50 vjeç, shtetas i huaj, pjesë të ekuipazhit ‘Geni’.

Ndërsa, në ekuipazhin e anijes libiane M. A., 48 vjeç, A. Z., 34 vjeç, A. A., 32 vjeç, S. N., 38 vjeç, M. M., 61 vjeç, E. K., 34 vjeç, I. A., 34 vjeç, A. H., 43 vjeç dhe A. B., 55 vjeç.

Policia ka deklaruar se këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”,dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Policia ka bërë të ditur më tej se në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, midis strukturave të Policisë së Shtetit, Zyrës Ndërlidhëse italiane Interfocë, GDF-së, QNOD-së dhe rojës bregdetare, bazuar në inteligjencën informative të siguruar nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, se në hapësirën detare mund të kryhej veprimtaria e paligjshme e kontrabandimit të naftës për në Shqipëri, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Geni”.

Sipas saj, bazuar në këto informacione të siguruara nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, ka lindur nevoja e përfshirjes në operacion edhe të një avioni të GDF-së, e Barit të Italisë, shkruan Rtsh

“Në operacion u përfshinë shërbimet e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, në bashkëpunim me shërbimet e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, DVP Durrës, Delta Forcë, shërbimet e Nuklit Detar të GDF-së në Durrës, shërbimet e QNOD-së dhe roja bregdetare. Si rezultat i koordinimit të shërbimeve u bë i mundur identifikimi i dy anijeve të peshkimit të cilat dyshohet se po realizonin këtë veprimtari të kundërligjshme, në det. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 2 anijet e peshkimit, konkretisht anijen shqiptare “Geni” dhe anijen libane “ABOBAKR 124”, të cilat në përfundim të veprimeve të para hetimore u sekuestuan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 62.000 litra naftë pa dokumentacionin përkatës. Në vijim të veprimeve hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, më datë 12 janar 2023, u bë arrestimi në flagrancë i pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes “Geni”, konkretisht: Q., 31 vjeç, K. K., 30 vjeç, S. G., 65 vjeç, banues në Durrës dhe M. E., 50 vjeç, shtetas i huaj. Këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Po në vijim të veprimeve operacionale dhe hetimore, më datë 13 janar 2023, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve të huaj, pjestarëve të ekuipazhit të anijes libiane “Abobakr 124”, e cila dyshohet se ka furnizuar me naftë të kontrabanduar anijen shqiptare, konkretisht shtetasit: A., 48 vjeç, A. Z., 34 vjeç, A. A., 32 vjeç, S. N., 38 vjeç, M. M., 61 vjeç, E. K., 34 vjeç, I. A., 34 vjeç, A. H., 43 vjeç dhe A. B., 55 vjeç. “, është bërë e ditur në njoftim.

Sipas policisë, këta shtetas janë arrestuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabande” dhe “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”.

“Operacioni policor dhe veprimet hetimore kanë zgjatur 48 orë, në det dhe në tokë. Gjatë operacionit u bllokuan 2 anijet dhe u arrestuan pjesëtarët e ekuipazheve të tyre. Struktuarat hetimore, nën Drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Duhet theksuar fakti se gjatë këtij operacioni pati një koordinim dhe veprim të shkëlqyer mes strukturave të Policisë së Shtetit, GDF-së, Zyrës Ndërlidhëse italiane me qendër në Shqipëri dhe rojës bregdetare. Ky operacion dhe operacionet e tjera të përbashkëta të zhvilluara më parë me partnerët italianë, tregojnë qartë besueshmërinë, profesionalizmin dhe bashkëpunimin mes strukturave policore të të dyja vendeve. Policia e Shtetit është shumë e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe kontrabandës.”, është bërë e ditur në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit.

/TV Arbëria

Themes by WordPress