Janë bërë plot 6 vite që kur nisën punimet për autostradën Gjilan-Prishtinë. U premtua çdo vit se punimet janë në përfundim, por, ato nuk u kryen kurrë.
Në vitin 2023 i pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti iu dha ‘myzhde’ qytetarëve duke iu uruar “përfundimin” e punimeve, edhe kjo shkoi huq.
Optimizmin e madh nuk e kishte veç Kurti pasi edhe zv.ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi po atë vit kishte thënë se punimet po kryheshin me një dinamikë të madhe.
Ai thoshte se në përqindje të punës 70 ishte numri që tregonte punën e kryer deri athere.
Ndërsa pas deklaratës se punimet do të kryheshin me përfundimin e 2023-tës, Kurti e kishte numëruar si sukses të Qeverisë që e udhëheq ai këtë autostradë, ani pse suksesi nuk dukej kund në horizont.
“Anamoravën po e lidhim me Prishtinën përmes autostradës Gjilan– Prishtinë, në të cilën mbi 75% të punimeve kanë përfunduar dhe tashmë kemi ndarë buxhetin për të filluar vitin tjetër me ndërtimin e autostradës nga Gjilani deri tek Dheu i Bardhë”- kishte shkruar Kurti më 30 tetor të vitit që shkoi.
Anash dhe pa reagim nuk kishte mbetur as i pari i Gjilanit, Alban Hyseni, por, ndryshe nga bashkëpartiakët ai ishte shprehur pesimist për përfundimin e rrugës atje.
Hyseni dha një periudhë “realiste” për përfundimin e punimeve. Në seancën e Kuvendit Komuunal në Gjilan ai kishte thënë se vera e hershme e 2024-tës mund t’i gëzoj qytetarët me lëshimin e rrugës për qarkullim.
“Nuk e besoj që realizohet brenda këtij viti sepse është tejet e vështirë të përfundohen gjithë ato punë, ndërkohë që viti i ardhshëm besoj ose pranvera e vonë, respektivisht vera e hershme mund të jetë afati realistik që mund të përfundojnë punimet në autostradë”- kishte deklaruar kryetari i kësaj komune atëkohë
Përgjigjie të tjera u dhanë mbrëmë nga Ministri i Mjedisiti, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në Radio Televizionin Publik të Kosovës.
I pyetur se pse nuk përfundoi autostrada sipas premtimeve ai tha se gjatë rrugës kanë dalë probleme të paparashikuara, derisa si problem kryesor përmendi çështjen e shpronësimeve.
“Ka pas premtime që do të kryhet në vitin që shkoj, kanë dalë probleme të paparashikume, sidomos janë probleme të shpronësimit. Përpos problemeve të shpronësimit, janë edhe probleme teknike, të cilat probleme janë në zgjidhje e sipër. Kjo e shpronësimit, janë marrë edhe vendimet në Qeveri për t’i evituar”, ka deklaruar Aliu.
Nga Prishtina në Gjilan qytetarët duhet të kalojnë 34 kilometra, punimet e autostradës do t’i mundësonin ata për qarkullim më efikas. /TVArbëria
Ndiqeni storjen: