Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot konferencën e dytë për media lidhur me rrjedhën e procesit të votimit në raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale 2025, raporton Ekonomia Online.
Në nisje të konferencës u bë e ditur se bazuar në informacionet e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa parregullsi që do të mund të ndikonin në integritetin e zgjedhjeve.
KQZ gjatë konnferencës ka njoftuar se është në komunikim të vazhdueshëm me trupat zgjedhore në terren, me qëllim të zbatimit të ligjit dhe respektimit të rregullave zgjedhore në çdo hap të procesit.
Sipas të dhënave preliminare të përmbledhura nga rreth 95% e vendvotimeve, deri në orën 11:00, në 18 komunat ku po mbahet raundi i dytë, kanë votuar 80,659 qytetarë, apo 6.13% e votuesve me të drejtë vote, nga gjithsej 1,316,672 qytetarë të regjistruar.
Në krahasim me raundin e parë, deri në të njëjtën orë, në këto komuna kishin votuar 99,765 votues apo 7.58% nga gjithsej 1,316,129 votues të regjistruar.
KQZ thekson se të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në secilën komunë dhe në çdo qendër votimi janë të qasshme në platformën zyrtare të rezultateve.