Ilir Gashi, përfaqësues i PDK-së në KQZ ka thënë se sot janë bërë 30 ditë qëkur KQZ e ka adresuar një kërkesë të Qeveria e Kosovës, për ndarje të buxhetit shtesë për organizimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Megjithatë, sipas Gashit KQZ ende nuk ka marrë përgjigje e as mjetet e kërkuara nga Qeveria.
“Kjo është një situatë e paprecedentë për KQZ-në, asnjëherë më parë në historinë e proceseve zgjedhore në Kosovë nuk ka ndodhur që një kërkesë për buxhet të injorohet në këtë mënyrë, duke rrezikuar drejtpërdrejt organizimin e zgjedhjeve dhe besimin publik në procesin demokratik.”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Sipas Gashit, Qeveria me dijeni të plotë nuk po i ndan paratë e kërkuara për t’u organizuar zgjedhjet.
Ai thotë se Sekretariati i KQZ-së ka përgatitur një raport vlerësues, në të cilin planifikohet rishpërndarja e mjeteve ekzistuese buxhetore, për t’u përdorur për zgjedhjet lokale.
“Ky veprim nuk është kërkuar dhe as miratuar nga anëtarët e KQZ-së dhe nuk është i mjafteushëm e as zgjidhje e qëndrueshme. Ne këmbëngulim që Qeveria të përgjigjet zyrtarisht dhe pa vonesa, sepse financimi i zgjedhjeve është detyrim kushtetues dhe ligjor, jo opsion politik.”, ka shkruar Gashi.