Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > 56 vjeçar në qeli të Hagës – retrospeksion për jetën, luftën për liri dhe politikën e Hashim Thaçit

56 vjeçar në qeli të Hagës – retrospeksion për jetën, luftën për liri dhe politikën e Hashim Thaçit

Ky përvjetor Thaçin e gjen në një qeli të Gjykatës Speciale në Hagë, në paraburgim dhe para një procesi të stërzgjatur gjykimi, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që pretendohet të jenë kryer gjatë periudhës së luftës, periudhë për të cilën ai thotë se ndjehet më së shumti krenar.

Hashim Thaçi sot ka mbushur 56 vjet. Për të, dhe ndoshta jo vetëm për të, kjo me siguri do të jetë një ditë reflektimi për atë që kaloi gjatë jetës ish-udhëheqësi i luftës guerile të UÇK-së dhe njeriu që pas saj do të mbërrinte deri në krye të vendit të cilin po ai do ta deklaronte të pavarur më 17 shkurt 2008.

Ky përvjetor Thaçin e gjen në një qeli të Gjykatës Speciale në Hagë, në paraburgim dhe para një procesi të stërzgjatur gjykimi, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që pretendohet të jenë kryer gjatë periudhës së luftës, periudhë për të cilën ai thotë se ndjehet më së shumti krenar.

Thaçi ishte president i vendit më 5 nëntor 2020, kur Specialja konfirmoi aktakuzën ndaj tij. Atë ditë ai thirri një konferencë për media dhe njoftoi se po jepte dorëheqje.

“Nuk mund të shkoj në Hagë si president i Kosovës”, tha, duke e konsideruar këtë betejë gjyqësore si “çmimi i vogël i radhës që kërkohet të paguhet për lirinë e vendit tonë”.

Aty gjeti rastin e fundit që nga Kosova të thoshte se “jam me fat që jam gjallë dhe e kam parë me sytë e mi ëndrrën tonë shekullore të bëhet realitet” dhe se ishte krenar që ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë e tha disa herë edhe në Gjykatën Speciale.

“Kjo nuk është lamtumirë, por vetëm mirupafshim. Do të shihemi prapë. Do të dalim faqebardhë. Ky është premtimi im për ju. Zoti e bekoftë Kosovën, popullin e saj dhe miqtë tanë”, kishte thënë Thaçi nga Prishtina, pak para se të nisej për në paraburgim në Hagë.

Hashim Thaçi lindi më 24 prill 1968 në Burojë, një fshat të Drenicës, rajonit që historikisht ishte më rezistenti ndaj Serbisë. Në atë rajon ku kishte nisur lufta e fundit që pa si epilog çlirimin dhe shtetin e pavarur të Kosovës.

Viti kur lindi Thaçi, ishte vit i demonstratave studentore në Europë. Në Kosovë, kërkesat e studentëve ishin më ndryshe, kishin theks të fortë politik. Shqiptarët kërkonin statusin e një republike federale për Kosovën në Jugosllavi, krijimin e universitetit të saj, krijimin e një policie të pavarur të Kosovës, gjykatën më të lartë, përdorimin e simboleve shqiptare, e të tjera.

Rreth dy vjet pas lindjes së Thaçit u krijua Universiteti i Prishtinës, ku ai pasi të rritej do të studionte filozofinë dhe historinë.

Studenti që dukej pakëz i ndrojtur, u bë problematik për regjimin serb të kohës që do të mundohej shumë ta arrestonte. U largua për në Zvicër, por jo për shumë gjatë. Në Cyrih nisi t’i ndiqte studimet pasuniversitare në departamentet e historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Bashkimi me grupin e emigrantëve politikë shqiptarë atje e karakterizoi jetën e Thaçit në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90. Atje lindi edhe angazhimi i tij politik në LPK, lëvizjen më radikale të rezistencës kosovare, e cila do ta formonte UÇK-në më vonë.

Thaçi ishte i ngarkuari i Lëvizjes Popullore të Kosovës për krijimin e lidhjeve me grupet e armatosura shqiptare që po vepronin asokohe në Drenicë, e që udhëhiqeshin prej Adem Jasharit. Detyrën e kryente duke hyrë disa herë ilegalisht në Kosovë. Drenica e Thaçit do të bëhej vendlindja e UÇK-së. Ai do t’i shtonte hyrje-daljet në përpjekjen për t’i forcuar formacionet e ushtrisë në terren.

Kjo do ta bënte atë target të policisë serbe fillimisht dhe ushtrisë serbe më pas.

Nga përpjekja për të studiuar në Kosovë e Zvicër, Thaçi do ta shihte veten të kthyer në vendlindje, të armatosur dhe duke marrë pjesë në një nga aksionet më të njohura të UÇK-së ndaj forcave policore serbe, së bashku me Adem Jasharin e të tjerë. Në vitin 1997, pak para se UÇK-ja të dilte publikisht, ata do ta sulmonin stacionin policor të Drenasit. Për këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, e drejtuar nga regjimi serb, do ta dënonte Hashim Thaçin me 10 vjet burgim, vendim të cilin ai do ta shpërfillte edhe me luftë. Adem Jashari, për të njëjtin sulm ishte dënuar me 20 vjet burgim në mungesë.

Adem Jashari u vra pak muaj më pas, ndërsa Hashim Thaçi vazhdoi si një nga prijësit e luftës. Shërbente si udhëheqës politik i UÇK-së deri në fund të luftës. Në luftë e kishte nofkën “Gjarpri” për shkak të aftësisë së tij për t’iu shmangur arrestimit nga policia dhe ushtria serbe.

Roli i tij në luftë e bëri Thaçin faktor të rëndësishëm edhe në Rambuje të Francës gjatë konferencës ndërkombëtare për Kosovën ku diskutohej për një plan paqeje. E udhëhoqi delegacionin e Kosovës në diskutimet të cilat u mbyllën pas nënshkrimit të palës shqiptare, i cili u pasua nga intervenimi ushtarak i NATO-s që i dha fund luftës më 1999.

Thaçi shërbeu edhe si kreu i një qeverie të përkohshme në fund dhe menjëherë pas luftës në vitin 1999. Në këtë detyrë, pas luftës ai udhëhoqi negociatat me ndërkombëtarët dhe nënshkroi marrëveshjen që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të transformohej në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Pati përplasje me përfaqësuesit ndërkombëtarë, ndërkohë që paraqitej si si unifikues i vërtetë i UÇK-së. Në momentin e fundit, ai mori koncesionet e nga Bernard Kouchner, administrator i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ashtu edhe nga gjenerali Michael Jackson, komandant i KFOR-it, për ta miratuar krijimin e TMK-së. Vetë emri i kësaj strukture, sigurisht civile por shumë hierarkike, ishte objekt diskutimesh të ashpra, ku perëndimorët ishin shfaqur jashtëzakonisht hezitues për ta pranuar termin “mbrojtje”, i cili asocionte në një forcë ushtarake.

Kapitali i simpatisë që dukej se e gëzonte UÇK-ja në mesin e shqiptarëve pasi lufta përfundoi, e ushqeu oreksin për pushtet brenda kësaj lëvizjeje. Në fund të vitit 1999, Thaçi nisi përnjëmend karrierën politike duke njoftuar për themelimin e Partisë Demokratike të Kosovës, me komandantët e UÇK-së, të cilët në shumicë e kishin vendosur veten nën udhëheqjen e tij edhe në liri.

Thaçi shprehej atëherë se kjo parti “do t’i bashkojë të gjitha forcat që e përkrahën luftën për çlirim” dhe se ajo do të ishte “forca lëvizëse e luftës për pavarësi, për ndërtimin e një Kosove demokratike, multietnike dhe që i respekton të drejtat e njeriut”.

Ishte anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), që ishte strukturë e përbashkët qeverisëse me misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK) deri në zgjedhjet e para parlamentare 2001, në të cilat pësoi disfatë të rëndë.

Nuk hoqi dorë kurrë nga përpjekja për t’u ngjitur deri në krye të shtetit, megjithëse e pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga Ibrahim Rugova të fitonte bindshëm pas luftës, zgjedhje pas zgjedhje.

Qëndroi fort në politikë për afro një dekadë pas luftës, mundi të bëhej deputet e më pas kryeministër e president.

Gjatë procesit negociator për statusin e Kosovës (2005 – 2007), të udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari, Hashim Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit në procesin që rezultoi me propozimin gjithpërfshirës për Pavarësinë e Kosovës.

PDK-ja e tij i fitoi zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, dhe Hashim Thaçi u zgjodh kryeministër i Kosovës më 9 janar 2008. Tash do të ishte përnjëmend kryeministër, kryeministri i parë i Kosovës shtet.

Thaçi e lexoi deklaratën e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Kosova u njoh shpejt nga të gjithë fuqitë perëndimore, por edhe më tej.

Partia e Thaçit do të ngrihej në rezultatet e zgjedhjeve pasuese, megjithëse pjesa paszgjedhore karakterizohej gjithmonë me vështirësi në formimin e qeverive. Në disa raste, të gjitha partitë kryesore në vend përjashtonin mundësinë e koalicionit me të, por në fund bëhej.

Vitet e para të Thaçit në pushtet karakterizohen me nisjen e disa projekteve të mëdha infrastrukturore, si ndërtimi i autostradës që e lidhë Kosovën me Shqipërinë.

Qeverisja e tij akuzohej nga disa organizata joqeveritare brenda dhe jashtë vendit për korrusion e nepotizëm.

Por Joe Biden, presidenti aktual i SHBA-së, e kishte cilësuar Thaçin si “George Washingtoni i Kosovës” në vitin 2010.

Kështu, në fund të vitit 2011 Thaçi fitoi sërish dhe mbeti në krye të shtetit.

Mandati i tij i dytë si kryeministër s’ishte i lehtë. Veçanërisht pasi senatori zviceran në Këshillin e Europës, Dick Marty publikoi një raport ku e akuzonte Thaçin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së për trafikim organesh, që pretendohej se u ishin marrë të ndaluarve serbë në vitin 1999 dhe 2000.

Partia e tij doli e para edhe në zgjedhjet e vitit 2014, por kryeministër u bë Isa Mustafa, atëherë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Thaçi u bë zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Në vitin pasues, në verën e vitit 2015, deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash i kishin votuar ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale. Pas një seance të gjatë, 82 deputetë kishin votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale, pesë kishin qenë kundër, ndërsa një kishte abstenuar. Kjo gjykatë supozohej se do t’i hetonte pretendimet e Dick Martyt.

Thaçi avokonte më së shumti për krijimin e kësaj gjykate, duke thënë se nëse s’do ta bëjë Kosova, do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Në fillim të vitit 2016, kryetari i PDK-së dha dorëheqje nga partia për t’u bërë president i vendit, ndërkohë që jashtë Kuvendit mbahej një protestë e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në përpjekje për ta penguar këtë.

Gjatë mandatit të tij si shef i shtetit, Hashim Thaçi mbahet në mend për negociatat me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në një përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Shkëmbimi i territoreve ishte një ide të cilën Thaçi dukej se e shtynte përpara dhe për të cilën u akuzua nga kundërshtarët në vend.

Ai po udhëtonte për në Washington për bisedime me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë kur në qershor të vitit 2020 Prokuroria në Hagë njoftoi se ka paraqitur aktakuzë kundër tij.

Në nëntor të atij viti, Thaçi dhe katër ish-udhëheqës të tjerë politikë e ushtarakë të UÇK-së si Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u dërguan për në paraburgimin e Speciales.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

Në një paraqitje në Gjykatën Speciale, Thaçi ka kujtuar se si raporti i Dick Martyt “i kishte mbushur titujt e mediave ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafikim organesh nga UÇK-ja”.

“Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për ta hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafik organesh dhe se shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, edhe populli i Kosovës, të gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur”, pati thënë Thaçi para një viti në gjyq.

Qe mbi 3 vjet, ai vazhdon të mbahet në paraburgim në Hagë, ndërkohë që procesi gjyqësor ndaj tij dhe ish-krerëve tjerë të UÇK-së duket se do të jetë i gjatë.

Powered by WordPress