Pjesë veturash, kabllo të energjisë elektrike, mure të dëmtuara e kundërmim me metra larg.
Kjo është çka ka mbetur në parkingun e njërit nga komplekset banesore në lagjen Kalabria të kryeqytetit pas një zjarri të shkaktuar në orët e hershme të mëngjesit.
Zjarri, shkaktari i të cilit ende nuk dihet, kishte trazuar banorët e kësaj lagjeje të cilët ankohen për reagim të vonshëm nga organet.
Nga incidenti, pasojat nuk qenë të vogla.
“Nga djegia e këtyre veturave, kompleksi i objekteve LESNA kryesisht hymja nr. 2 ishte pëfshirë në tym dhe si pasojë, kishte edhe panik tek qytetarët, mirëpo me iniciativën tonë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës kemi arritur t’i qetësojmë ata dhe bazuar në prioritete, afërsisht 30 prej tyre kryesisht të moshuar, gra shtatëzëna, persona me probleme shëndetësore dhe fëmijë i kemi evakuuar nga ndërtesa dhe ofruar tek Urgjenca Mjekësore”, ka thënë Mal Gashi, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve.
Por 5 prej tyre, u dërguan në QKUK si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore.
“Kanë qenë 5 pacientë, prej tyre katër kanë pas intoksimim me monoksid karboni për shkak të djegies së automobilave, kjo ka ndikuar në pengesa të frymënxënies. Kanë qenë në gjendje shqetësuese, gjendje të panikut. Janë trajtuar me oksigjenoterapi edhe me terapi që i liron rrugët e frymëmarrjes. Prej këtyre 5, njëra ka qenë e lënduar në kokë, me siguri duke ikur. 5-6 orë deri sa janë stabilizuar me oksigjeno-terapi, kur janë liruar, parametrat kanë qenë normal”, ka deklaruar Avdush Bajgora, doktor kujdestar në Klinikën e Emergjencës në QKUK .
Derisa banorët thonë se ky është rasti i parë i kësaj natyre në këtë lagje, nga policia nuk kanë dhënë detaje rreth shkakut të mundshëm të këtij zjarrit, por që hetimet, janë duke vazhduar. /RTV Dukagjini