Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ibri duhet të jetë vijë e kuqe strategjike e shtetit

Ibri duhet të jetë vijë e kuqe strategjike e shtetit

Shkruan: Hisen Berisha

 

Deklarata e fundit e Aleksandar Vuçiqit nuk është një deklaratë e zakonshme politike.

Presidenti i Serbisë ka bërë të ditur se Serbia ka ftuar ekspertë, inxhinierë dhe struktura të sektorit të ndërtimit për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke e paraqitur këtë si kundërpërgjigje ndaj politikave të autoriteteve të Kosovës ndaj komunitetit serb.

“Le të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen pas këtij veprimi”, është mesazhi i tij.

Kjo fjali duhet të merret shumë seriozisht.

Sepse këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një lumë.

Kemi të bëjmë me sigurinë kombëtare dhe sigurinë ujore të Kosovës.

Ibri dhe sistemi Ibër-Lepenc, janë një prej aseteve më strategjike të Republikës së Kosovës. Ujmani nuk është thjesht një liqen. Ai është pjesë e një sistemi jetik për furnizimin me ujë, energjinë, industrinë, bujqësinë dhe funksionimin ekonomik të Kosovës.

Raporti teknik i përgatitur nga Pacific Northwest National Laboratory (PNNL) për Departamentin amerikan të Energjisë e ka dokumentuar rëndësinë e jashtëzakonshme të Ujmanit: liqeni siguron rreth një të tretën e ujit të pijshëm të Kosovës dhe përdoret edhe për ftohjen e termocentraleve që prodhojnë pjesën dërrmuese të energjisë elektrike të vendit.

Pra, kush kërcënon me ndërhyrje në rrjedhën e Ibrit, nuk po flet vetëm për një projekt hidroteknik. Po prek një arterie strategjike të sigurisë ujore, energjetike dhe ekonomike të Kosovës.

Më 4 shtator 2020, në Washington, Kosova dhe Serbia, në praninë e Presidentit Donald Trump, morën përsipër një angazhim shumë të qartë lidhur me Ujmanin.

Në dokument thuhet se të dyja palët do të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë dhe institucionet përkatëse të qeverisë amerikane për një studim fizibiliteti për përdorimin e ndërsjellë të Liqenit të Ujmanit si burim të besueshëm të furnizimit me ujë dhe energji.

Kjo është thelbësore.

Sepse Washingtoni nuk e ka konceptuar Ujmanin si armë politike, por si burim të besueshëm uji dhe energjie, përdorimi i të cilit duhet të trajtohet përmes bashkëpunimit, studimit teknik dhe zgjidhjeve institucionale.

Kjo do të thotë se kërcënimi për ta devijuar Ibrin bie ndesh me frymën dhe logjikën e këtij angazhimi.

U ofruan edhe modele që mund të përdoren si argument i fortë juridik me precedent ndërkombëtar, përfshirë modelin e Rio Grande, ku SHBA-ja dhe Meksika kanë rregulluar me traktate përdorimin dhe shpërndarjen e ujit.

Washingtoni kërkoi bashkëpunim për ujin dhe energjinë. Vuçiq kërcënon me ndërhyrje në rrjedhën e sistemit ujor.

Ky është dallimi.

Në të drejtën ndërkombëtare të ujërave jo të lundrueshme, ekzistojnë disa parime themelore: përdorimi i drejtë dhe i arsyeshëm i ujërave ndërkufitare, detyrimi për të parandaluar dëmin e konsiderueshëm ndërkufitar, detyrimi për bashkëpunim dhe, në rastin e masave të planifikuara që mund të shkaktojnë pasoja të konsiderueshme, parimi i njoftimit dhe konsultimit ndërmjet shteteve të interesuara. Këto parime janë pjesë e arkitekturës bashkëkohore të së drejtës ndërkombëtare të ujërave.

Prandaj, Serbia nuk mund ta trajtojë Ibrin si armë politike ndaj Kosovës.

Nëse një ndërhyrje në rrjedhën e Ibrit do të cenonte furnizimin me ujë, energjinë, industrinë, bujqësinë, ekosistemin ose përdorimet ekzistuese në Kosovë, çështja nuk mund të trajtohet thjesht si një punë e brendshme e Serbisë.

Ajo do të kishte pasoja ndërkufitare.

Dhe për këtë arsye do të kërkonte vlerësim teknik, njoftim, konsultim dhe bashkëpunim ndërmjet palëve.

Kjo është pikërisht ajo që kërkon arkitektura ndërkombëtare e menaxhimit të ujërave ndërkufitare. (United Nations Legal Affairs⁠)

Kosova duhet ta bëjë këtë të qartë në Washington, në Bruksel, në NATO, në institucionet ndërkombëtare dhe te të gjithë partnerët strategjikë.

Jo kur të ndryshojë rrjedha e lumit, por tani.

Kosova ka nevojë për një doktrinë shtetërore për ujin.

Sepse uji është “ari i bardhë” i shekullit XXI.

Kosova ka pasur prej kohësh plane për zhvillimin e kapaciteteve ujore. Në projektet e planifikimit hidrik janë paraparë shumë akumulacione dhe liqene artificiale. Në vend që këto projekte të shndërroheshin në një strategji kombëtare për sigurinë ujore, sot vazhdojmë të dëgjojmë se “po bëhen studime”.

Jo! Studimet nuk mund të përdoren si alibi për mosveprim.

Nëse ekzistojnë masterplane, projekte dhe analiza fizibiliteti të trashëguara nga planifikimi hidrik i Kosovës, ato duhet të rishikohen, të përditësohen sipas standardeve moderne dhe të kthehen në program shtetëror për sigurinë ujore.

Nga projektet historikisht të planifikuara për zhvillimin e kapaciteteve ujore, vetëm një pjesë është realizuar. Ujmani është më i madhi; Radoniqi është një tjetër kapacitet i rëndësishëm, ndërsa akumulimet e tjera kanë kapacitete më të kufizuara.

Kjo do të thotë se Kosova nuk duhet të presë që Serbia t’i japë leje për të pasur ujë.

Kosova duhet të ndërtojë sigurinë e saj ujore.

Në Rahovec, Boge, Zhur dhe në lokacione të tjera ku janë planifikuar projekte ujore, shteti duhet të rikthejë në tryezë dokumentacionin teknik, projektet dhe analizat ekzistuese.

Sepse një shtet serioz nuk e mbron vetëm një liqen.

Një shtet serioz ndërton alternativa të shumta strategjike, që askush të mos mund ta mbajë peng.

Kurse Ujmani është aset strategjik, jo monedhë për shantazh nga Serbia.

Por këtu qëndron edhe dështimi më i madh politik i Kosovës.

Ndërkohë që ujërat e Kosovës rrjedhin përmes rrjedhave të tyre natyrore dhe përfundojnë në det, pa u shndërruar në potencial të mjaftueshëm për zhvillim industrial e ekonomik të Kosovës.

E njëjta histori po ndodh edhe me energjinë dhe pasuritë nëntokësore.

Kosova nuk ka nevojë vetëm për mbrojtje të ujit.

Ka nevojë për një strategji të ujit, energjisë dhe pasurive natyrore.

Përballë potencialit të jashtëzakonshëm mineral të Kosovës, shfrytëzimi i pasurive nëntokësore ka mbetur larg potencialit real. Edhe pasuritë e njohura minerare dhe metalmbajtëse vazhdojnë të shfrytëzohen në mënyrë të kufizuar, ndërsa në raste të caktuara mineralet dalin nga Kosova si koncentrate me vlerë të shtuar të ulët, ndërkohë që problemet financiare dhe sociale në sektorin minerar vazhdojnë.

Kosova historikisht ka nxjerrë edhe ar në sasi të konsiderueshme. Prandaj sot duhet të pyesim seriozisht se, ku është strategjia kombëtare për shfrytëzimin e arit, plumbit, zinkut, nikelit, qymyrit dhe pasurive të tjera minerare?

Uji është ari i bardhë.

Rezervat fosile dhe mineralet janë pasuri strategjike të Kosovës, pjesë e pasurisë së nëntokës së saj.

Një shtet që nuk kontrollon dhe nuk zhvillon burimet strategjike të tij, mbetet i varur nga të tjerët.

Një aset determinues strategjik i zhvillimit të përgjithshëm të shtetit është energjia. Në këtë kontekst lind pyetja se, kush e do Kosovën të varur energjetikisht?

Këtu duhet të rikthehet edhe debati për projektet amerikane për sigurinë dhe pavarësinë energjetike të Kosovës dhe rajonit, përfshirë projektet për kapacitete të reja energjetike dhe diversifikimin e burimeve të furnizimit, të cilat ishin pjesë e përpjekjeve për pavarësimin energjetik të Kosovës dhe rajonit.

Kosova nuk mund të ndërtojë siguri kombëtare duke refuzuar njëra pas tjetrës mundësitë për diversifikim energjetik.

Sepse varësia energjetike është varësi strategjike.

Dhe kush e kontrollon energjinë, ujin dhe infrastrukturën kritike, ka ndikim mbi ekonominë, industrinë, sigurinë, shoqërinë dhe sovranitetin real të një shteti.

Prandaj duhet bërë pyetja se, a po ndërtojmë një Kosovë që prodhon dhe kontrollon energjinë e vet, apo një Kosovë që vazhdon të mbetet e varur nga furnizuesit dhe korridoret e të tjerëve?

Përgjigjja kërkon të shihet edhe në kursin politik të ndjekur që nga ardhja e Kurtit në pushtet, në mënyrën, motivet e kësaj ardhjeje dhe në pasojat që, sipas këtij vlerësimi, po i sjell Kosovës refuzimi apo mosrealizimi i projekteve strategjike amerikane, duke rrezikuar vazhdimin e varësive ekzistuese energjetike.

Po ashtu, Kurti dhe ekipi i tij erdhën në pushtet duke pretenduar se do të “riformatonin dialogun” dhe do t’i rishikonin marrëveshjet e mëparshme. Por ku na çoi?

Dialogu nuk mund të reformatohet duke e dobësuar pozicionin e shtetit.

Marrëveshjet nuk mund të riformatohen duke humbur qëllimin strategjik.

Kosova ishte futur në një proces ku diskutohej një marrëveshje finale Kosovë-Serbi, ku në tryezë ishte edhe çështja e njohjes, ndërsa në anën tjetër ekzistonte obligimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të paraparë nga marrëveshja e vitit 2013.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2015 e trajtoi marrëveshjen dhe konstatoi se parimet e saj duhej të harmonizoheshin me Kushtetutën.

Pra, debati serioz nuk ishte nëse duhet të mbrohej Kushtetuta.

Debati ishte si të zbatohej një obligim i marrëveshjes në përputhje me Kushtetutën dhe pa krijuar një nivel të tretë pushteti.

Kjo është shumë ndryshe nga propaganda politike.

Prandaj, edhe sot Serbia po përpiqet ta përdorë këtë hapësirë politike dhe diplomatike.

Deklaratat që vijnë nga Beogradi duhet të lexohen në këtë kontekst. Përfshirë edhe deklaratën e fundit për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, një prej aseteve më strategjike ujore të Kosovës.

Këto janë edhe pasojat e status quo-së që, sipas këtij vlerësimi, ka krijuar politika e ndjekur nga Kurti, për të cilat kanë paralajmëruar në vazhdimësi edhe partnerët amerikanë.

Analisti serb Janjiq deklaroi se “marrëveshja e Ohrit i ka dhënë Serbisë një bazë shumë më të favorshme për autonominë e serbëve në Kosovë sesa ajo që kërkohej fillimisht përmes Asociacionit.”

Ndërkohë, eksponentë politikë serbë kanë artikuluar edhe skenarë që e lidhin procesin e Hagës me vetë fatin ndërkombëtar të Kosovës dhe me përpjekjet për ta rihapur çështjen e pavarësisë në arenën ndërkombëtare, përkatësisht për ta rikthyer çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Edhe deklaratat provokuese të tipit se “Millosheviqi ua dha shqiptarëve pavarësinë për shkak të dhunës” apo se një “Millosh i ri” në Prishtinë po e fuqizon kthimin e Serbisë në Kosovë, dhe argumenton kërkesën e Beogradit për autonomi politike e territoriale për serbët, duhet të kuptohen si pjesë e një lufte narrative.

Pra, Serbia po ndërton narrativën e saj.

Dhe, për fat të keq, shpesh po gjen terren, të cilin po ia krijojmë me jofunksionalizimin institucional të shtetit dhe me kursin politik të veprimit të këtij spektri, që me çdo veprim e vendim politik po rrezikon të përmbushë tezën serbe se “shqiptarët s’dinë të mbajnë shtet”.

Ajo që po e bën sot me mjeshtëri politike Serbia është se po e shfrytëzon ndryshimin e brezit diplomatik.

Këtu ndodhet një tjetër rrezik që nuk po merret sa duhet seriozisht.

Serbia po e shfrytëzon ndryshimin e brezit diplomatik në Perëndim.

Diplomatët e rinj nuk kanë domosdoshmërisht të njëjtin familjaritet me historinë e Ballkanit, me çështjen shqiptare-serbe, me luftërat e viteve ’90, me regjimin e Millosheviqit dhe me mënyrën se si Beogradi ka ndërtuar për dekada narrativën e vet.

Dhe Serbia po e shfrytëzon këtë boshllëk.

Me viktimizim politik.

Me lobim.

Me propagandë.

Me diplomaci.

Me histori të rishkruar.

Me paraqitjen e vetes si shtet “konstruktiv”, “stabil”, “pro-europian” dhe “i gatshëm për integrime euroatlantike”.

Ndërkohë, në terren, vazhdon politika e presionit ndaj Kosovës.

Sot po flitet për Ibrin.

Nesër mund të flitet për Ujmanin.

Pasnesër për energjinë.

Më tej për komunat, sigurinë, veriun dhe strukturat paralele.

Kjo është arsyeja pse politika e Serbisë duhet të lexohet jo nga fjalët që thotë në Bruksel, por nga kapacitetet strategjike që ndërton dhe nga instrumentet e presionit që ruan.

Problemi më i madh i Kosovës është se vazhdon të reagojë pasi tjetri e ka vendosur agjendën. Kosova nuk mund të jetë vetëm reaguese.

Kjo është e papranueshme.

Kosova duhet të kalojë nga politika e reagimit në politikën e parandalimit strategjik.

Duhet të ketë strategji kombëtare për:

-sigurinë ujore;
-Ujmanin dhe sistemin Ibër-Lepenc;
-energjinë;
-burimet minerare;
-infrastrukturën kritike;
-sigurinë kibernetike;
-mbrojtjen civile;
-diplomacinë energjetike dhe ujore;
-komunikimin strategjik dhe marrëdhëniet me SHBA-në;
-NATO-n;
-BE-në; dhe
-pozicionimin e Kosovës në arkitekturën e re të sigurisë globale.

Kosova ka një pozicion shumë më të favorshëm gjeostrategjik sesa po e përdor.

Por pozicioni gjeostrategjik nuk mjafton.

Duhet shtet, diplomaci, ushtri, ekonomi, energji, ujë dhe aleanca.

Deklarata e Vuçiqit nuk është çështje vetëm e Prishtinës. Edhe Tirana zyrtare duhet të flasë.

Shqipëria është anëtare e NATO-s.

Dhe Shqipëria nuk mund të sillet sikur kërcënimi ndaj një infrastrukture strategjike të Kosovës është vetëm një mosmarrëveshje dypalëshe Prishtinë-Beograd.

Siguria e Kosovës është pjesë e sigurisë së rajonit.

Dhe siguria e rajonit është pjesë e sigurisë euroatlantike.

Tirana duhet të flasë më qartë.

Jo me retorikë nacionaliste, por me gjuhën e NATO-s, të sigurisë dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Dhe këtu kthehemi te Kurti. Atij duhet t’i thuhet qartë, me gjuhën që duhet ta kuptojë, se kursi i tij politik është kthyer në rrezik për interesat shtetërore e kombëtare.

Unë e kam paralajmëruar Albin Kurtin edhe nga foltorja e Kuvendit se, “Po rrëshqet në tradhti.”

Nuk e kam thënë këtë si slogan politik.

E kam thënë si paralajmërim për pasojat e një kursi politik që dobëson shtetin, aleancat dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Sepse Albin Kurti sot nuk është vetëm një individ politik.

Albin Kurti është bërë sistem.

Një sistem ku pjesë të spektrit tjetër politik, me emra të përveçëm në krye të subjekteve të tyre, në vend që ta kundërshtojnë këtë sistem me një alternativë të qartë shtetërore, shpesh përfundojnë duke u përshtatur me të dhe duke i shërbyer logjikës së tij.

Kjo nuk është më çështje e Kurtit.

Është çështje e sistemit politik që po prodhon Kosova.

Prandaj, deklarata e Vuçiqit duhet të jetë kambanë alarmi.

Sepse kërcënimi ndaj Ibrit është alarm, jo vetëm për Qeverinë, por edhe:

Për Kuvendin.

Për Presidenten.

Për partitë politike.

Për diplomacinë.

Për Forcën e Armatosur të Kosovës (FAK) dhe strukturat e sigurisë.

Për aleatët tanë.

Për Washingtonin.

Për NATO-n.

Sepse nëse një shtet mund të kërcënojë me ndërhyrje në një lumë që ushqen një sistem jetik ujor dhe energjetik të një shteti tjetër dhe ne të përgjigjemi vetëm me një komunikatë politike, atëherë problemi nuk është vetëm kërcënimi.

Problemi është mungesa e strategjisë për t’iu përgjigjur kërcënimit.

Serbia duhet ta kuptojë se Kosova nuk është pa mbrojtje.

Kosova nuk është më ajo e viteve ’98/’99.

Dhe Kosova duhet t’ua dëshmojë këtë jo me deklarata, por me diplomaci, ligj, aleanca, kapacitete dhe alternativa strategjike.

Ujmani duhet të jetë pjesë e një strategjie kombëtare të sigurisë ujore dhe energjetike.

Ibri nuk duhet të jetë armë politike.

Uji nuk është shantazh.

Energjia nuk është peng.

Dhe Ujmani nuk është monedhë për të blerë nënshtrimin e Kosovës.

Kosova duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë se shteti nuk mbrohet vetëm në kufi. Shteti mbrohet edhe te burimi i ujit, te diga, te termocentrali, te minerali, te rrjeti energjetik, te diplomacia dhe te aleancat strategjike.

Sepse ai që kontrollon ujin, energjinë dhe infrastrukturën kritike, nuk kontrollon vetëm ekonominë.

Kontrollon një pjesë të sovranitetit.

Dhe sovraniteti i Kosovës nuk negociohet me kërcënime.

As në Ibër.

As në Ujman.

As në energji.

As në infrastrukturën kritike.

As askund tjetër.