Shkruan: Afrim Kasolli
Me 4 korrik të vitit 1776 trembëdhjetë kolonitë amerikane, e shpallën vetën si shtete të pavarura dhe që nuk janë më nën sundimin britanik. Me këtë datë morën jetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u lind një shtet i paprecedent në histori. Një fillim i ri ndodhi për botën që e ndryshoi përgjithmonë atë.
Hannah Arendt në librin e saj “On Revolution” (Mbi Revolucionin) pohon se termi liri në truallin e “botës së re” u përdor në një kuptim të panjohur deri atëherë më parë. Me këtë nocion u nënkuptua një vlerë “e ndryshme nga vullneti i lirë dhe mendimi i lirë që filozofët e kishin njohur dhe diskutuar që nga koha e Shën Augustinit (Saint Augustine). Liria publike s’ishte një sferë e brendshme ku dikush mund të strehohet në vullnetin e tij nga presionet e kësaj bote, ajo nuk ishte po ashtu liri arbitrare (liberum arbitrium), e cila e lejon vullnetin të zgjedhë ndërmjet alternativave. Liria për ata ishte diçka e krijuar nga publiku, e prekshme, realitet i kësaj bote, e formësuar nga njerëzit që të gëzohet po ashtu nga njerëzit”. Ky shtet u bë vatra e demokracisë, toka e lirisë dhe vend i mundësive. Parimet që ndikuan në themelimin e tij, gradualisht filluan të marrin shtrirje universale, të shndërrohen në forcë për mobilizim historik dhe në ideal të të gjithë popujeve që luftojnë për çlirim.
Peshën e këtij shteti në përmasa globale askush nuk e kishte pikasur më mirë se sa Hegeli. Në ligjeratat e tij mbi Filozofinë e Historisë ai konstaton në mënyrë profetike se tash e tutje “barra e historisë botërore do ta zbulojë vetën në këtë shtet”.
Kurse frymën e tyre të brendshme, atë që i bënte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të jenë të ndryshme nga çdo shtet tjetër i kohës e ka detektuar në mënyrë brilante historiani i njohur francez Aleski de Tokëvil (Alexis de Tocqueville) në vizitën që u kishte bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me të zbritur në tokën përtej brigjeve të Atlantikut ai ishte mahnitur me impulset dhe zhvillimin unik të demokracisë amerikane.
Në librin “Demokracia në Amerikë” ai e nuhati risinë e kësaj bote më një mprehtësi të jashtëzakonshme. Asgjë, thotë Tocqueville që në hyrje të librit, “nuk më ra në sy më shumë sesa barazia e përgjithshme e kushteve të popullit”. Dhe në vëzhgim e sipër ai deklaron “shpejt e kuptova se ndikimi i këtij fakti shkon shumë më thellë përtej karakterit politik të ligjeve dhe ka një pushtet po aq të madh në shoqërinë civile sa edhe mbi shtetin”. Kodifikimi shoqëror i këtij parimi e ka shndërruar sipas tij idealin e barazisë në një “fakt providencial”.
Gjatë këtij vëzhgimi, krahas ndarjes së pushteteve dhe rolit vital të shtypit në informimin e publikut, një vend qendror në këto përsiatje e ka zënë edhe kategoria e taunshipëve. Ato u përdorën si hapësirë vitale për gjallërimin e ideve “demokratike dhe republikane”. Po ashtu, rreth këtyre njësive u mblodhën dhe lulëzuan interesat, pasionet, të drejtat dhe detyrat lokale”. Dhe në këto taunshipe pushteti ishte i shpërndarë me një mjeshtëri të admirueshme për ta bërë të “integruar numrin me të madh të njerëzve për qëllimet e së mirës së përgjithshme”.
I magjepsur nga potencialet krijuese të kësaj fryme, Tocqueville në këtë libër e formulon një konstatim që është treguar emblematik për të ardhmen e njerëzimit. Ai pohon se zhvillimet në botë në vitet e ardhshme në masë të madhe do të kushtëzohen nga ndikimi i amerikanëve dhe rusëve. Mirëpo, dallimi është se derisa “amerikani lufton kundër pengesave që i vë përpara natyra, kundërshtarët e rusëve janë njerëzit. I pari lufton me shkretëtirën dhe jetën e egër, i dyti me qytetërimin dhe të gjitha armët e tij. Pra, i pari korr fitoret me plug (inovacion), i dyti me shpatë. Anglo-amerikani mbështet interesin vetjak për t’i arritur qëllimet e tij dhe i hap fushë të lirë sensit të përgjithshëm të popullit, rusi e përqendron gjithë autoritetin e shoqërisë në një dorë. Mjeti i të parit është liria, i të dytit skllavëria”. Lirisht mund të themi se konfrontimi ndërmjet këtyre dy sistemeve të ndryshme të jetës, atij që e afirmon lirinë dhe që mishërohet nga ShBA-të dhe atij që e promovon skllavërinë e që mishërohet nga Rusia, vazhdon të mbetet më aktual se çdo herë tjetër.
Përfundimisht, me shumë se shqiptaret nuk e ka përjetuar peshën e këtyre dy boterave. Ata e vuajtën gjate shtypjen, skllavërimin dhe robërinë nga imperializmi i te ftohtit siberik. Dhe po ashtu njohën magjinë e lirisë qe erdhi nga dielli perëndimor amerikan.
Përherë mirënjohës SHBA!