Kreu i Rahovecit, Smajl Latifi ka njoftuar se sot, në 3-vjetorin e vdekjes, në varrezat e të rënëve për lirinë e atdheut, në Landovicë, me pjesëmarrjen e familjarëve të tij, të familjarëve të dëshmorëve, të bashkëluftëtarëve të shumtë, të drejtuesve të organizatave të dala nga lufta, nga Rahoveci dhe Prizreni, deputetë e miq, kujtuan me pietet të lartë bashkëluftëtarin dhe ish-eprorin e UÇK-së, Komandantin e Njësitit Diversant “SYRI I SHQIPONJËS”, të Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, Xhavit Elshani nga Pirana.
“Xhaviti ishte pjesëmarrës e udhëheqës i aksioneve të shumta e të guximshme kundër armikut. Shquhej për sensin e lartë të organizimit dhe të veprimeve të suksesshme ushtarake. U dëshmua në çdo betejë kundër forcave pushtuese serbe. Më 21 janar 1999, derisa po shkonin në një detyrë të posçme për të depërtuar armë e municione për nevojat e Zonës Operative të Dukagjinit, hasën në pritën armike mbi fshatin Fortesë, e në ballafaqim e sipër, mbeti i vrarë bashkëluftëtari dhe heroi Skender Rexhepi. Xhaviti u plagos rëndë. Plagë të rënda kishin marrë edhe heroi Fitim Duraku (u përjetësua, më 4 prill 1999) dhe veprimtari i hershëm e luftëtari i përkushtuar, Mustafë Bajraktari, i cili vdiq pas luftës.
Përveçse luftëtar i dalluar i UÇK-së, Xhaviti ishte njeri i dashur për familjen, shokët dhe të gjithë ata që patën rastin ta njihnin. Koha e shpenzuar me të ishte gjithmonë inspiruese, për çfarë do të lërë gjurmë të pashlyera në kujtesën tonë.
Ai ishte aktiv dhe në paqe, në ndërtimin dhe fuqizimin e TMK-së (Batalion Gardist), duke qenë në vazhdimësi një shembull i mirë dhe emër i nderuar nga shokët, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë njohur e kanë bashkëvepruar me të.
S’u dorëzua asnjëherë përballë vështirësive dhe mbeti shëmbëlltyrë deri në çastin e fundit.
Vdekja e tij la të pikëlluar familjen, miqtë, bashkëluftëtarët dhe të gjithë liridashësit. Vepra atdhetare e Xhavitit do të mbetet në kujtesën tonë përjetësisht.”, ka shkruar mes tjerash ai.