Kandidati i PDK-së me numër 103 në listë, Qëndrim Kryeziu, ka prezantuar një plan ambicioz për sektorin e energjisë, duke paralajmëruar investime në vlerë prej 3 miliardë eurosh dhe ulje të ndjeshme të kostos së energjisë për qytetarët.
Sipas Kryeziut, plani parasheh diversifikimin e prodhimit të energjisë, jo vetëm nga thëngjilli, era dhe dielli, por edhe përmes teknologjive të reja dhe novatore. Ai ka përmendur si pjesë të këtij vizioni prodhimin e energjisë bërthamore modulare (SMR) nga investitorë amerikanë, përfshirë kompani novatore me teknologjinë TerraPower, si dhe prodhimin hidro-pneumatik të energjisë me teknologji gjermano-norvegjeze.
Kryeziu ka deklaruar se do të angazhohet personalisht për rinegocimin e kontratës me ContourGlobal për 500 megavat energji nga linjiti, duke hapur njëkohësisht rrugën për zgjerimin e kapaciteteve të energjisë së gjelbër nga dielli dhe era.
Ai ka theksuar se çdo zonë dhe parcelë e përshtatshme për energji të ripërtëritshme do të përfshihet në planet zhvillimore komunale dhe hartat zonale, ndërsa tokat me orientim nga jugu dhe kategori të lejuar do të marrin leje automatike për instalimin e paneleve diellore.
Në fund, kandidati i PDK-së ka theksuar se ai dhe subjekti që përfaqëson nuk do të vendosin barriera për bizneset, duke u zotuar për mbështetje të plotë të zhvillimit ekonomik.