Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > 3 mijë e 712 qytetarë nga Kosova shkuan për të jetuar në Shqipëri në vitin 2023, kryesisht për bashkim familjar

3 mijë e 712 qytetarë nga Kosova shkuan për të jetuar në Shqipëri në vitin 2023, kryesisht për bashkim familjar

Shqipëria sa vjen e po bëhet një vend i preferuar nga të huajt për të jetuar e punuar.

Numri i të huajve që kanë marrë leje qëndrimi në Shqipëri është rritur ndjeshëm në vitin 2023, sipas të dhënave të INSTAT, me dominim të shtetasve të Kosovës, Italisë dhe Turqisë.

Ndërsa italianët vijnë kryesisht për të punuar, apo studiuar, turqit kryesisht për të punuar, shtetasit e Kosovës vijnë më shumë për arsye të bashkimit familjar. Në Shqipëri po vijnë dhe shtetas indianë, që janë të gjithë për të punuar.

Sipas INSTAT, në fund të vitit 2023, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 21.460 banorë, duke pësuar rritje me 18,2%, krahasuar me vitin 2022. Rreth gjysma e tyre janë në Shqipëri për të punuar.

Numri i të huajve me leje qëndrimi dominohet nga meshkujt me 63,8%, kundrejt femrave me 36,2%. Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri në vitin 2023 ishte 12.430 aplikime, duke shënuar një rritje me 22,7%, krahasuar me vitin 2022.

Të huajt me origjinë nga Kosova, Italia dhe Turqia përbëjnë numrin më të madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri në vitin 2023, respektivisht me 3.712, 3.375 dhe 1.693 banorë.

Të huajt me origjinë nga Evropa rezultojnë 15.223 banorë në vitin 2023 dhe përbëjnë 70,9% të të huajve gjithsej, kundrejt 73,3% që përbënin në 2022.

Punësimi është arsyeja kryesore e lejeve të qëndrimit të të huajve në Shqipëri në 2023 me 48,3%. Në vitin 2023 janë evidentuar 6.630 të huaj të parregullt në territorin e vendit, ku pjesën më të madhe të tyre, rreth 44,0%, e zënë të huajt me origjinë nga Afganistani dhe Siria.

Të huajt në Shqipëri

Gjatë vitit 2023, numri i të huajve me leje qëndrimi përbëhet nga 13.691 meshkuj dhe 7.769 femra.

Grup-mosha dominante e të huajve me leje qëndrimi është 30-39 vjeç, e cila përbën 22,5% të të huajve gjithsej me leje qëndrimi.

Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2023 ishte 12.430 aplikime, duke shënuar një rritje me 22,7%, krahasuar me vitin 2022. Aplikimet sipas vendit të origjinës nga Kosova dhe Italia përbëjnë 28,5% të aplikimeve gjithsej në 2023.

Të huajt në Shqipëri sipas kontinenteve

Të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri sipas vendit të origjinës kryesohen në vitin 2023 nga vendet e Evropës, duke zënë 70,9% të të huajve gjithsej. Të huajt me origjinë nga Evropa janë 15.223 persona, duke shënuar një rritje me 14,5%, krahasuar me 2022. Të huajt me origjinë nga Azia janë 3.784, duke shënuar një rritje me 43,3%, krahasuar me 2022. Të huajt me origjinë nga Amerika, Afrika dhe Oqeania janë 2.453, duke pësuar një rritje me 10,8%, krahasuar me vitin 2022.

Të huajt në Shqipëri sipas vendit të origjinës

Në vitin 2023, të huajt me origjinë nga Kosova janë 3.712 banorë, duke shënuar një rritje me 31,2%, krahasuar me 2022, ndërsa të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri me origjinë nga Italia janë 3.375 banorë, duke shënuar një rritje me 14,5%, krahasuar me 2022.

Gjysma vijnë për të punuar, italianët dhe studiojnë

Në vitin 2023 të huajt me leje qëndrimi për arsye punësimi zënë 48,3% të të huajve gjithsej, ndjekur nga arsyet për bashkim familjar me 22,2%, arsyet të tjera me 13,3%, arsyet për qëllime humanitare me 12,4% dhe arsyet për studime 3,7%.

Te të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri me origjinë nga Italia, përveç arsyes për punësim (49,0%) vihet re edhe një dominim i arsyes për studim (17,7%).

Të huajt me origjinë nga Kosova kryesohen nga arsyet për bashkim familjar (43,5%) dhe arsyet të tjera (32,4%).

Të huajt me origjinë nga Turqia kryesohen nga arsyet për punësim (71,1%) dhe arsyet për bashkim familjar (25,8%).

Të huajt me origjinë nga SHBA dhe India dominohen nga arsyet për punësim , respektivisht me (62,6% dhe 95,7%).

Të huajt e parregullt

Të huajt e parregullt të evidentuar në territorin e Shqipërisë ose në kufi, pa dokumentacionin e nevojshëm rezultojnë 6.630 persona në 2023, kundrejt 8.335 personave në 2022.

Të huajt e parregullt sipas vendit të origjinës në 2023 kryesohen nga vende si Afganistani me 1.610 persona, Siria me 1.305 persona, Pakistani me 969 persona, Bangladeshi me 792 persona, Somalia me 475 persona dhe Maroku me 156 persona./Monitor.al/

Themes by WordPress