Sa ka territor vendi, aq u shtua popullsia, pos 1 më tepër.
Në tokën që ka 10 mijë e 887 kilometra katrorë, vitin që shkoi popullsia e Kosovës pati rritje natyrore fiks për 10 mijë e 888.
Këtë rastësi e evidentoi Agjencia e Statistikave të Kosovës, kur bëri matjet për popullsinë rezidente.
E pikërisht në këto gjetje, u konstatua që pati zvogëlim të saj, shkruan Klan Kosova.
Në vitin 2024, Kosova humbi 28,413 banorë për shkak të emigrimit, pasi më shumë persona u larguan sesa hynë në vend. Megjithatë, popullsia rezidente u zvogëlua vetëm për 17,525 banorë, falë rritjes natyrore pozitive me më shumë lindje sesa vdekje.
Madje kosovarët po del se pos jashtë vendit, po i ndërrojnë edhe komunat brenda territorit, çka këtë e bënë më tepër se 21 mijë e 500.
Imigrantë që erdhën këtu u regjistruan pak më shumë se 9 mijë, larg më pak se ata që e lëshuan vendin duke emigruar e që arrin gati në 37 mijë e 500 banorë.
Vlerësim i ngjashëm nga ASK bëhet çdo vit, derisa në Kosovë u vlerësua se janë 1 milionë e 585 mijë e 590 banorë rezidentë.