Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > 27 vjet nga vrasja e Enver Malokut – Ardita Shkodra: “Vrasja e tij u krye nga Serbia, ja faktet”

27 vjet nga vrasja e Enver Malokut – Ardita Shkodra: “Vrasja e tij u krye nga Serbia, ja faktet”

Në përvjetorin e 27-të të vrasjes së publicistit dhe veprimtarit Enver Maloku, autorja Ardita Shkodra ka ngritur sërish çështjen e moszbardhjes serioze të këtij krimi, duke deklaruar se vrasja e tij ishte e organizuar nga strukturat e sigurisë serbe.

Sipas Shkodrës, deri më sot askush nuk e ka trajtuar me seriozitet dhe mbi bazë faktesh vrasjen e Malokut, ndonëse ekzistojnë raportime të dokumentuara që e lidhin drejtpërdrejt atë me kërcënime nga aparati shtetëror serb, vetëm pak ditë para ekzekutimit të tij.

Autorja rikujton se Enver Maloku ishte drejtor i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK) dhe një figurë e veçantë e rezistencës politike, të cilin e përshkruan si “revolucionar brenda lëvizjes pacifiste”.

Në argumentimin e saj, Shkodra i referohet dy raportimeve të publikuara nga vetë QIK-u, gazeta që Maloku e drejtonte. Më 8 tetor 1998, QIK-u publikoi artikullin me titull “Enver Maloku u mbajt tri orë në polici, u kërcënua”, ku thuhet se më 7 tetor 1998, rreth orës 20:30, Maloku ishte ndaluar dhe arrestuar nga policë serbë të armatosur përballë Teatrit Popullor të Prishtinës dhe ishte mbajtur në arrest deri në orën 23:45.

Sipas këtij raportimi, gjatë marrjes në pyetje, Enver Maloku ishte kërcënuar nga një person me rroba civile, i identifikuar nga QIK-u si pjesëtar i sigurimit shtetëror serb.

Po ashtu, më 23 dhjetor 1998, gjatë një tryeze të gazetarëve kosovarë, Enver Maloku kishte folur publikisht për kërcënimet e vazhdueshme që i vinin nga strukturat e sigurisë serbe. Deklarata e tij ishte botuar e plotë në QIK, ku ai shprehej:

“Ne na është kërcënuar nga qeveria serbe, por ne nuk kemi asnjë mbrojtje, madje as një fije solidariteti nga qeveria jonë, as nga institucionet e Kosovës e partitë politike.”

Shkodra përmend edhe një deklaratë të Malokut për gazetën Bota Sot, ku ai kishte theksuar se:

“Serbisë nuk po i pengojnë ata që flasin për pavarësi, por ata që veprojnë për pavarësi.”

Sipas autores, pikërisht këto qëndrime dhe aktiviteti konkret i Enver Malokut për çështjen e Kosovës e kishin bërë atë objektiv të drejtpërdrejtë të shërbimeve serbe. Vetëm pak ditë pas këtyre kërcënimeve, ai u vra.

Në reagimin e saj, Shkodra rikujton se Ushtria Çlirimtare e Kosovës e kishte dënuar ashpër vrasjen e Enver Malokut dhe se ishte pikërisht UÇK-ja ajo që kishte organizuar ceremoninë e varrimit të tij, si shenjë respekti dhe distancimi nga ky krim.

Artikulli përfundon me thirrjen që vrasja e Enver Malokut të rihapet dhe të trajtohet mbi bazë faktesh dhe dokumentesh, duke mos u përdorur për manipulime politike, por për zbardhjen e së vërtetës historike.