Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > 27 vjet nga rasti “Panda” në Pejë – krimi i kurdisur nga Serbia që iu faturua shqiptarëve

27 vjet nga rasti “Panda” në Pejë – krimi i kurdisur nga Serbia që iu faturua shqiptarëve

Janë bërë 27 vjet nga një prej skenarëve më të errët dhe më të manipuluar të kohës së luftës në Kosovë, i njohur si rasti “Panda”, i cili ndodhi më 14 dhjetor 1998 në një lokal në qytetin e Pejës. Ky krim i rëndë, i kurdisur nga aparati shtetëror i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, kishte për qëllim t’ua linte fajin shqiptarëve dhe të shërbente si justifikim për represionin ndaj popullatës shqiptare.

Si pasojë e këtij akti makabër, u vranë gjashtë të rinj serbë: Ivan Radeviq (25), Ivan Obradoviq (14), Vukota Gvozdenoviq (16), Dragan Trifoviq (17), ndërsa nga plagët e marra në spital ndërruan jetë edhe Svetislav Ristiq (18) dhe Zoran Stanojeviq (17).

Sipas të dhënave të kohës, dy persona të armatosur hynë në lokalin “Panda” dhe hapën zjarr ndaj të rinjve. Menjëherë pas ngjarjes, përgjegjësia për krimin iu hodh pesë të rinjve shqiptarë nga Peja, të cilët u arrestuan dhe u dënuan për veprën penale të ashtuquajtur “veprimtari armiqësore”.

Edhe pse ata u liruan një muaj pas fillimit të vuajtjes së dënimit, falë ndërhyrjes së Kryqit të Kuq, të rinjtë shqiptarë nuk iu shpëtuan torturave dhe keqtrajtimeve në burgjet serbe, duke u bërë viktima të një drejtësie të fabrikuar.

Mediumi malazez “M portal” ka raportuar më herët se autorët e vrasjes në rastin “Panda” janë të njëjtët persona që morën pjesë edhe në masakrën në burgun e Dubravës. Në këto raportime përmenden emrat e Sinisha Petriqit, i njohur si drejtues i klanit “Zenica”, si dhe Radomir “Boban” Baçoviq, lider i klanit “Shkalar”, si pjesëmarrës në të dyja aktet kriminale.

Vite më vonë, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar publikisht se ky krim nuk është kryer nga shqiptarët, ashtu siç ishte pretenduar për vite me radhë nga autoritetet serbe. Megjithatë, pavarësisht këtyre deklarimeve, Serbia edhe sot, 27 vjet pas ngjarjes, vazhdon të mos e zbardhë zyrtarisht krimin dhe të fshehë përgjegjësit e vërtetë.